Soltes: Mos e fajësoni BE-në, liberalizimi do të duhej të ndodhte para 2 vitesh

Prishtinë | 06 Qer 2018 | 12:17 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, në një konferencë për shtyp lidhur me marrëdhëniet aktuale BE-Kosovë gjatë përgatitjes së raportit për Kosovën në Parlamentin Evropian, tha se po të plotësoheshin kushtet vizat do të duhet të hiqeshin para dy vitesh, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se për këtë çështje nuk do të duhej që të fajësohet Bashkimi Evropian.

“E kuptojmë se ka pritje të mëdha nga publiku kosovar për liberalizimin e vizave pas miratimit të demarkacionit me Malin e Zi”.

“Liberalizimi realisht veç është shumë vonë, por mos e fajësoni vetëm BE-në për këtë, Kosova është dashur të fitojë liberalizimin para dy viteve me Ukrainën e Gjeorgjinë”.

“Unë jam duke bërë më të mirën sa i përket Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave. Kjo do të shprehët qartë në raportin për progres në Parlamentin Evropian”.

“Shpresoj për lajme pozitive në fund të vitit për vizat”

Raportuesi për Kosovën theksoi se liberalizimi i vizave nuk varet vetëm nga Parlamenti Evropian pasi aty kanë rol kyç edhe institucione tjera të BE-së, megjithatë ai u shpreh optimist se deri në fund të këtij viti do të hiqen vizat për kosovarët, raporton EO.

“Jemi duke u përpjekur në përmbushjen e kërkesave tuaja dhe në muajt në vijim pritjet janë të mëdha por kjo nuk varet krejtësisht nga Parlamenti Evropian, ka edhe akterë tjerë kyç që kanë për të luajtur rol në këtë proces, mirëpo shpresoj që rekomandimet nga Komisioni Evropian do të jenë pozitive, kjo do të jetë një mesazh shumë i rëndësishëm sa i përket Komisionit Evropian për të dhënë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave dhe sinqerisht shpresoj që do të ndodh deri kah fundi i këtij viti”.

Soltes ka thënë se nuk mund të parashikojë veprimet e vendeve anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, në procesin e liberalizimit të vizave, por vlerësoi se heqja e vizave varet shumë sidomos nga demarkacioni i cili u miratua në mars dhe progresi në luftimin e korrupsionit.

“Unë nuk mund të parashoh rolin e aktorëve të përfshirë, por varet shumë nga përmbushja e kërkesave, sidomos nga miratimi i demarkaconit dhe raporti për luftimin e korrupsionit. Komisioni Evropian do të përgatisë një raport për atë që është bërë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, jemi të vetëdijshëm që këto tema duhet të diskutohen edhe më tej, por është në interes të qytetarëve që ketë rënie të tyre”.

Soltes: Dialogu të përfundojë me marrëveshje të pranueshme për palët

Duke folur për fazën finale të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbinë, Soltes ka thënë se është shumë e rëndësishme që procesi të përfundojë me një marrëveshje të pranueshme nga të dyja palët.

Gjithashtu, ai e vlerësoi të rëndësishme që në Kosovë të arrihet një platformë e pranueshme për dialogun me Serbinë, si për pozitën ashtu edhe për opozitën.

“Ky dialog duhet të vazhdojë sa më shpejtë dhe shpresoj që të arrijmë një fund të suksesshëm me një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët. Jemi shumë të vetëdijshëm se kjo është pyetje mjaft e ndjeshme, por ka rëndësi të madhe”.

“Është shumë e rëndësishme që të gjendet një platformë e pranueshme edhe për pozitën dhe opozitën sepse është kruciale që të kemi një marrëveshje që mund të negociohet për zëdhënësin, por edhe për Parlamentin e Kosovës”.

Soltes shtoi se është e rëndësishme që të përgatiten prioritetet për planin ekonomik, sistemin arsimor dhe shëndetësor. Ai vlerësoi se sistemi i mjedisit është neglizhuar për një dekadë dhe se është kruciale që të trajtohet ndotja e ajrit, transportit dhe mbeturinave për të cilin tha se është problem madhor, sepse sipas tij çështja mjedisore lidhet edhe me sektorin energjetik.

Raportuesi për Kosovën deklaroi se gjatë takimeve me krerët e shtetit të Kosovës është paraqitur qëndrim i qartë për uljen e tensioneve mes komuniteteve. Soltes theksoi se këto ishin çështjet që i kanë diskutuar gjatë ditëve të fundit.

Të ngjashme