Sot seancë e jashtëzakonshme, shkak qasja e Kurtit ndaj SHBA-së

Prishtinë | 11 Mar 2020 | 10:16 | Nga Ekonomia Online

Opozita ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për sot pasdite për të diskutuar, siç kanë thënë ata, për qasjen e Qeverisë ndaj SHBA-së.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, tha se kryeministri Albin Kurti është “i paaftë” dhe “po e rrezikon aleancën e Kosovës me SHBA-në”

Seanca është thirrur për sot në orën 15:00.

“Për ta parandaluar një dëm të tillë, së bashku me deputetët e partive të tjera opozitare, ne kemi ftuar për nesër, në orën 15, një seancë të jashtëzakonshme – për të kërkuar llogari nga kjo Qeveri e papërgjegjshme në raport me qasjen e saj ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Veseli gjatë ditës së djeshme, kur edhe thirri seancën si lider i opozitës.

“Si asnjëherë më parë, kjo aleance e shenjtë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës po vihet në rrezik nga një Kryeministër i paaftë për të kuptuar e vepruar drejt, nga një Kryeministër pa vizion e pa përgjegjësi. Për fat të keq, gjithnjë e më shumë po vërtetohet se kjo Qeveri është rrezik për interesin e përgjithshëm nacional. Ky rrezik vjen nga kjo Qeveri që ka mungesë të gatishmërisë për të marrë përgjegjësi dhe vendime në interes të vendit dhe qytetarëve tanë. Dëmi që po shkakton është i rëndë”, tha Veseli në konferencën për media pas mbledhjes së kryesisë së partisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme