Tensione mes LDK’së e VV’së në Podujevë: Bulliqi akuzon djemtë e Agim Veliut për sulme kundër tij

Prishtinë | 19 Shk 2020 | 18:59 | Nga Ekonomia Online

Pak pasi formuan Qeverinë, ka nisur përplasja mes LDK’së e Vetëvendosjes në garën për kryetar të Podujevës. Shpejtim Bulliqi në facebook i akuzoi djemtë e Agim Veliut për propagandë kundër tij. Më pas ai ka hequr emrin e Veliut nga postimi. Në një bisedë për Express, kandidati i LVV’së tregon se çfarë po ndodhë në zonën ku LDK’ja ka fituar çdo palë zgjedhje.Gazetaexpress

Agim Veliu, që shihet si hallka më e dobët e partneritetit LDK-Vetëvendosje, ka hyrë në kabinetin e Albin Kurtit si ministër i Punëve të Brendshme. Megjithatë kjo pozitë nuk e largon liderin e përhershëm të Llapit nga zona e tij.

Me shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Podujevë, LDK’ja ka kandiduar Nexhmi Rudarin. Vetëvendosje nga ana tjetër ka hyrë në garë me ish-zyrtarin e LDK’së, Shpejtim Bulliqin.

Bulliqi garën nuk e ka nisur kundër Rudarit, por ka ankesa në ish-kryetarin e Podujevës dhe njërit nga zyrtarët më të lartë të LDK’së. 

Kandidati i LVV’së ka shkruar mbrëmë në Facebook se djemtë e Veliut po shpërndajnë material propagandues kundër tij.

“Një lajm që po qarkullon nëpër disa portale që kanë për qëllim të sulmojnë Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe mua si kandidat për kryetar komune, nga frika e humbjes së pushtetit janë shfrenuar djemtë e Agim Veliut, me shpifje të ulta që kanë qëllim të dezinformojnë publikun, gjoja unë kam për qëllim të ç’rrënjos rugovizmin në Llap”, ka shkruar Bulliqi mbrëmë.

Ndërkaq sot, kandidati i LVV’së, ka hequr emrin e Agim Veliut nga postimi, e ka thënë se janë shfrenuar “djemtë e përkdhelur”.

Në një bisedë për Expressin, Bulliqi thotë se bëhej fjalë për një material me të cilin po mundohen t’i bindin llapjanët, se kandidati i LVV’së dëshiron ta çrrënjosë “rugovizmin”.

“Ishte një material që gjoja po luftohet rugovizmi në Llap. Në realitet, unë nuk jam ai që e lufton rugovizmin. Unë u jam ofruar qytetarëve të Llapit për ta ndryshuar qeverisjen e deritanishme aty. Ndërsa për këto çështjet e tjera, nuk kam ide”, ka thënë Bulliqi.

“Unë besoj që rugovizmi dhe parimet e rugovizmit kanë qenë ndërtimi dhe fuqizimi i shtetit, fuqizimi i së drejtës dhe angazhimi për një shtet funksional, por jo gjërat që në njëfarë forme punojnë kundër këtyre parimeve” është shprehur tutje ai.

Bulliqi, që ka akuzuar djemtë e Veliut për këtë material, thotë se “pak a shumë dihet faqja se e kujt është”.

Por, a do ta dëmtojnë këto akuza partneritetin e LDK’së e LVV’së në nivel qendror?

Bulliqi, që u pendua për akuzat për Veliun, thotë se dy partitë garën po e zhvillojnë vetëm në rrafshin lokal.

“Neve jemi duke bërë garë në nivelin lokal, për pushtet lokal dhe do ta mbajmë garën në nivel lokal”, ka thënë kandidati i LVV’së.

Bulliqi ka refuzuar të përgjigjet nëse mendon se propaganda që ai thotë se po bëhet kundër tij nga djemtë e Agim Veliut, është bërë nën instruksionet e ish-kryetarit të Podujevës.

Ish-kryetari i Podujevës ka qenë e paqasshëm, ndërsa një nga djemtë e tij, Shkumbin Veliu, nuk ka pranuar t’i komentojë deklaratat e Bulliqit.

Agim Veliu ka fituar të gjitha zgjedhjet që nga paslufta në komunën e Podujevës, duke kthyer rajonin e Llapit në një nga bastionet e kësaj parti.

Zgjedhjet në Podujevë u shpallën pas formimit të Qeverisë, ku Veliu mori pozitën e ministrit të Brendshëm. Ato do të mbahen me 15 mars dhe në garë janë vetëm tri partitë, LDK’ja, LVV’ja e PDK’ja. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme