Vazhdojnë takimet e Pacollit në Daka, kërkon mbështetje për anëtarësim në Interpol

Prishtinë | 06 Maj 2018 | 17:56 | Nga

Kanë vijuar edhe sot aktivitetet e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, në Daka të Bangladesh, në kuadër të ministerialit të kryediplomatëve të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, transmeton Ekonomia Online.

Hapje misionesh të reja diplomatike në vende të rëndësishme dhe me ndikim në pellgje të rëndësishme gjeografike, lobim për Interpol dhe  njohje të reja ishin temat e takimeve të Pacollit, sipas një komunikate për medie nga MPJ. Ai, në emër të Kosovës mbajti edhe një fjalim në konferencë.

Ai, u takua edhe njëherë me kryeministren e Bangladeshit, Sheikh Hasina dhe me Chrystia Freeland, Ministre e Punëve te jashtme të Kanadasë ku u bisedua për disa iniciativa të përbashkëta për Kosovën.

Pacolli u takua dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OBI-it, Yousef bin Ahmad Al-Othaimeen.

Sipas një komunikate nga MPJ, ministri Pacolli kërkoi që Kosova të marrë statusin e vëzhguesit brenda kësaj Organizate, me synim që t’i shërbejë paqes, dhe të zhvillojë marrëdhënie miqësore me këtë pjesë të rëndësishme të botës.

Sekretari i përgjithshëm Othaimeen premtoi se mbledhja e ardhshme do ta shqyrtojë si rast të veçantë statusin e Kosovës, ndonëse në Kartën themeluese të OBI, pjesëtarët e OBI-t duhet të jenë dhe anëtarë të OKB-së.

Po ashtu, në ditën e dytë të punimeve, shefi i diplomacisë kosovare u takua me zëvendësministrin e  punëve të jashtme të Egjiptit. Në takim u diskutua për marrëdhëniet historike mes dy vendeve dhe kërkesën e Kosovës për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

“Kosova është gati të hapë ambasadën e saj në Kairo”, tha ministri Pacolli.

“Kërkesa e tij u vlerësua nga bashkëbiseduesi, i cili shprehu gatishmërinë për të konsideruar forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve”, thuhet në komunikatë.

Pacolli adresoi forumin e përbërë nga dhjetra ministra të jashtëm të organizatës së dytë ndërkombëtare më të madhe në botë, pas OKB-së, me 56 anëtarë dhe numër të madh shtetesh vëzhgues.

“Në fillim të fjalës së tij, Pacolli falënderoi mikpritësit, institucionet e Bangladeshit, vend që e ka njohur Kosovën, veçanërisht për solidaritetin ndaj popullsisë Rohinga, që po i nënshtrohet kohëve të fundit njëlloj spastrimi etnik ‘dukurie që ne si popull e kemi provuar gjatë konfliktit të 1999”. Ministri i jashtëm kosovar u kërkoi 20 vendeve anëtare jo njohëse të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik ta njohin Kosovën, krahas 36 shteteve, që e kanë bërë këtë hap gjatë dhjetë viteve”, thuhet tutje në komunikatën e MPJ-së.

“Duke ilustruar përparimin e bërë nga Kosova prej pavarësisë e këtej, në shtet ndërtim, në zhvillimin ekonomik, etj, shefi i diplomacisë kosovare tha se vendi mbetet i angazhuar për rrugën europiane dhe po përparon në marrëdhëniet me Bashkimin Europian, si projekti më i sigurt. Ai, tha se Kosova është përkushtuar gjithashtu, në mbylljen e kapitullit të negociatave me Serbinë, që do të kulmojë me një Marrëveshje paqeje”.

Ministri i jashtëm, Behgjet Pacolli, i bëri thirrje vendeve anëtare ta mbështesin Kosovën në anëtarësimin në Interpol, si shërbim për luftën e përbashkët ndaj krimit të organizuar dhe dukurive të tjera që kërcënojnë rendin publik, etj.

Ministri i jashtëm i Kosovës, u takua gjithashtu me ministrin e shtetit të Kamerunit, Adoum Gargoum, me ministrin e shtetit për Punë të Jashtme të Ugandës, Philemon Mateke, me zëvendësministrin e  Jashtëm  të Venezuelës, Felix Gonzalez, ministrin e Shtetit të EBA-s, Anwar Gargash, me kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Bangladeshit, Dipu Moni, ish-ministre e jashtme e Bangladeshit.

Ai, u takua, gjithashtu edhe me kryesues delegacionesh të Sudanit, Irakut, Malit, etj.

Të ngjashme