Veseli: Dekada e Re do të fuqizojë Republikën

Prishtinë | 05 Qer 2018 | 21:29 | Nga

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga anëtari i Kryesisë, Elmi Reçica, kanë marrë pjesë në hapje të kuvendeve zgjedhore të të rinjve të PDK-së në Komunën e Hanit të Elezit dhe në Shtërpcë, ku qindra të rinj të profesioneve të ndryshme i janë bashkuar Partisë Demokratike, për Dekadën e Re.

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, tha se në procesin e deritashëm zgjedhor, mbi 20 mijë të rinj anekënd vendit, i janë bashkuar Partisë Demokratike, për të transformuar dhe reformuar atë për Dekadën e Re, e cila siç tha Veseli do të jetë Dekada e të rinjve të Kosovës.

“Partia Demokratike është gjithmonë e hapur dhe u jep hapësirën e duhur të rinjve. Sot, shumica e ministrave të PDK-së janë të rinj dhe ju rinia e mrekullueshme e Kosovës do të jeni ata që nëpërmjet ideve kreative inovatore, do të zhvilloni ndërmarrësinë dhe do ta zhvilloni Kosovën, shtetin që me aq shumë mund e sakrifica e kemi bërë”, tha Veseli.

Ai theksoi se Partia Demokratike e ka ulur moshën e anëtarësisë nën moshën 25 vjeç për të krijuar sa më shumë hapësirë për mijëra të rinj që i janë bashkuar partisë por edhe për të dhënë mundësi që rinia e partisë të përfshihet në strukturat e degëve, për të dhënë kontributin dhe përvojën e tyre të deritashme.

Ai tha se këto zgjedhje të brendshme partiake po e transformojnë Partinë Demokratike në një subjekt edhe më të fuqishëm për t’i shërbyer vendit në sfidat e Dekadës së Re, duke u bazuar në tri shtyllat e programit të ri që për fokus kryesor kanë besimin, zhvillimin dhe integrimin e Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme