Zgjedhet kryesia e re e Vetëvendosjes në Gjermani

Prishtinë | 03 Pri 2017 | 11:03 | Nga

Lëvizja Vetëvendosje ka zgjedhur kryesinë e re në Gjermani, me ç’rast Salih Abazi ëhstë zgjedhur kryetar i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje. Zgjedhja e tij erdhi pas mbledhjes së parë konstituive, në kuadër të zgjedhjeve të brendshme.

Në një komunikate për medie bëhet e ditur se prezent nga Kosova ishte deputetja Aida Dërguti, e cila iu drejtua me disa fjalë të pranishmëve. Ajo veçoi rëndësinë e angazhimit të mërgatës për zhvillimin e shtetit të Kosovës, qoftë në forcimin e vetëdijesimit për temat socio-politike që mbizotërojnë, por edhe për pjesëmarrjen në zgjedhje.

Pas kësaj u prezantua rezultati i zgjedhjes së Salih Abazit me shumicë votash si Kryetar i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjermani. Salih Abazi ka studiuar histori dhe gjeografi, dhe tani është drejtues i suksesshëm në fushën e gastronomisë. Në fjalimin e tij inaugurues, Salih Abazi paraqiti qëllimet dhe prioritetet e tij gjatë mandatit të ardhshëm. Ai tha se Lëvizja VETËVENDOSJE! në Gjermani duhet të vazhdoi zgjerimin e saj me ritëm edhe më të lartë dhe theksoi se Lëvizja do të përqendrohet në stimulimin e mërgatës shqiptare që ajo të përdorë të drejtën e saj të votës si në Gjermani, po ashtu edhe në Kosovë, si dhe për zhvillimin e bashkëpunimit me partitë gjermane, e në veçanti me Partinë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD).

Tutje, Këshilli i Qendrës zgjodhi edhe kryesinë e re. Bersant Deva u zgjodh Nënkryetar i parë, Sabile Aliu-Sahiti Nënkryetare e dytë, Fëllanza Podrimja u zgjodh Sekretare Organizative dhe Safet Islami si Koordinator i Nënkomiteteve. Bekim Barileva do t’i drejtojë mbledhjet e Këshillit të Qendrës, kurse zëvendësi i tij u zgjodh Besart Simnica. Si dhe, anëtarë të tjerë të Kryesisë u votuan Hazir Sopi, Bajram Rudari dhe Osman Maliqi. Dhe në fund, delegatë për Këshillin e Përgjithshëm u zgjodhën Kujtim Robelli, Sabile Aliu-Sahiti dhe Bajram Rudari.

Zgjedhja e strukturave të reja të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjermani vjen pas rritjes së vazhdueshme. Anëtarësimet e shumta që kanë ndodhur dhe vazhdojnë ende, dëshmojnë që mërgata shqiptare është e vendosur për ndryshim, dhe se mundësia e vetme është Lëvizja VETËVENDOSJE!.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme