Polonia kap tre tonë kokainë në vlerë 761 milionë dollarë

Prishtinë | 09 Qer 2020 | 14:17 | Nga Ekonomia Online

Autoritetet polake kanë sekuestruar më tepër se tre tonë kokainë në vlerë rreth 761 milionë dollarë, një kapje rekorde në këtë vend, shkruan agjencia Reuters.

Policia ka raportuar të martën se tre persona janë arrestuar në rajonin verior polak të Pomeranias, të moshës nga 64 deri 71 vjet, si rezultat i këtij hetimi.

Kokaina është zbuluar në barele me ananas të grirë në një deponi në qytetin Gdynia. Ishte transportuar me anije në Hamburg nga Ekuadori, para se të arrinte nëpërmjet rrugës deri në Gdynia.

“Vlera e kësaj sasie të kokainës në treg është rreth tre miliardë zloty (760.9 milionë dollarë). Ka mundur të jetë goditje e rëndë në shëndetin e të rinjve”, ka thënë kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki.

Kapot e drogës të Amerikës Latine kanë dërguar kokainë në Evropë edhe pse pandemia ka prishur zinxhirin e furnizimit, kanë thënë zyrtarët polak të anti-drogës.

Në dhjetor, Polonia sekuestroi dy tonë kokainë që vinte nga Kolumbia.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme