Pompeo falënderon shqiptarët për mbështetjen që i ofruan hebrenjve

Prishtinë | 28 Tet 2020 | 20:07 | Nga Ekonomia Online

Sekretari i shtetit të SHBA-ve, Mike Pompeo, ka falënderuar shqiptarët për mbështetjen që i ofruan hebrenjve. Ai ka folur në Forumin Ballkanik kundër Antisemitizmit.

Forumi nisi pasdite në Kuvendin e Shqipërisë, ku nismëtar i këtij forumi ishte deputeti Taulant Bala.

“Kam kënaqësinë të bashkohem me ju në këtë forum. Shqipëria është një mik i madh i SHBA. Pas luftës dhe holokaustit ishte vendi që ofroi një ndihmë të rrallë për hebrenjtë. Shqiptarët ishin streha për hebrenjtë, për t’i shpëtuar nazizmit. Ju shpëtuat jetë dhe iu dhatë edhe dokumente false për t’i shpëtuar. Nder për Shqipërinë dhe trashëgimin e tolerancën e saj. Ashtu siç reflektohet nga ky Kuvend që bashkon përpjekjet për të luftuar antisemitizmin. Ne jemi këtu për të ngritur zërin kundër antisemitizmit. Së pari duhet ta identifikojmë këtë kërcënim dhe të gjejmë mënyrat për ta luftuar. Duhet të ketë një fushë të barabartë për të gjitha shtetet. Kemi parë një përhapje të antisemitizmit dhe kjo është shqetësuese. Le të garantojmë sigurinë e çdo personi, që ne të jetojmë krah për krah. Ju falënderoj shumë për këtë punë të shkëlqyer. Zoti e bekoftë Shqipërinë”, u shpreh Pompeo.

Ndersa presidenti i Parlamentit Europian, Davide Sasoli gjatë fjalës së tij në Forumin e Antisemitizmit, vlerësoi rolin e Shqipërisë, si një prej vendeve që i strehoi e ruajti hebrenjtë. Më tej ai shtoi se pikërisht shembulli që dha Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore duhet ndjekur edhe nga vende të tjera të Botës. Sasoli tha se ka ardhur koha që Europa të ngrejë një front të përbashkët kundër këtyre fenomeneve që të mos ndodhin më.

“Ky është një aktivitet për të cilin kemi nevojë në këto kohë të vështirsa, lufta kundër antisemitizmit është më e rëndësishme se kurrë. Uroj të mos kemi kurrë më persekutime të minorancave, të mos ketë më nazizëm, urrejtje dhe luftëra. Në Europë duhet të ketë një jetë pa shqetësime, t’i jepen fund incidenteve diskriminuese ndaj hebrenjve, të lëmë pas krahëve historinë e 75 viteve më parë. Të reagojmë sa herë antisemitizmi dhe racizmi ngrenë kokën duhet ti shohim siç janë: sulm ndaj të drejtave të njeriut. Shqipëria ka bërë hapa para me definimin e antisemitizmit, kjo është pjesa e historisë tuaj krenare që i mbrojtët hebrenjtë dhe duke i fshehur ata. I gjithë ky është shembull i qartë i humanitetit tuaj. Shembulli i Shqipërisë duhet ndjekur nga kombe të tjera. Antisemitizimit duhet t’i krijojnë një front të bashkuar. Të bashkojmë forcat tona, kjo është prova e disatë që kemi një fat të përbashkët dhe një të ardhme për të jetuar sëbashku”, deklaroi Sasoli.

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është bërë pjesë e Forumit Ballkanik kundër Antisemitizmit përmes një lidhje me “Skype” dhe u shpreh se shqiptarët kanë mbrojtur me jetën e tyre hebrenjtë që erdhën në Shqipëri.

“Shqipëria e sheh Izraelin dhe civilizimin hebre si shtyllë e bashkëjetesës sonë mesdhetare në rrjedhën e qindra viteve. Pa parë thellë në histori mund të konfirmojmë lehtësisht se hebrenjtë, të cilët peripecitë e jetës i sollën në vendin tonë, u kthyen në një gur të çmuar në historinë dhe në kulturën tonë. Prej një bashkëjetese të vjetër e të pandikuar nga fanatizmat, nën çatinë e përbashkët të bijve të Abrahamit, shqiptarët e kanë parë bashkësinë hebraike si “dritën e syrit”, nëse mund të perifrazoj një shprehje të vjetër biblike”, tha Edi Rama në fillim të fjalës së tij. Në vijim Rama tha se Shqipëria ishte vendi që u kthye në shtëpi për hebrenjtë qysh përpara Luftës së Dytë Botërore dhe vendi ku komuniteti hebre u njoh ligjërisht me besimin e vetë e të drejtat e veta për të ushtruar besimin fetar dhe Shabati ishte i garantuar si një e drejtë me ligj për çdo hebre. “Kjo u pa natyrisht dhe fare qartë dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore se çfarë hebrenjtë donin të thonin për shqiptarët, kur shqiptarët e zakonshëm, familjet e zakonshme vendosën jetët në rrezik për të mbrojtur hebrenjtë. Ishin myslimanë, ishin të krishterë dhe ju ofruan strehë, duke i mbrojtur edhe me jetën e tyre”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë ka sjellë episodin sipas tij të pabesueshëm të dy vëllezërve shqiptarë , të cilët strehuan një familje të madhe hebreje dhe u dorëzuan tek nazistët dhe përfunduan në kampet e përqendrimit në Gjermani, duke u dhënë identitete të rreme, duke pretenduar se ishin ata hebrenjtë që nazistët po kërkonin.

“Nuk është vetëm e shkuara, është po ashtu dhe e tashmja, e cila vlen shumë për ne, si një e tashme ku duhet të vijojmë e të luftojmë çdo formë antisemitizmi si kërcënim jo thjesht për hebrenjtë, apo për Izraelin, por si kërcënim për vetë civilizimin tonë, për vetë vlerat tona e parimet në të cilat vendet jetojnë të ardhmen tonë të përbashkët”, deklaroi Edi Rama.

Sipas kryeministrit Rama, antisemitizmi është një kërcenim real, i cili shkon mjaft përtej asaj çka duket se shënjestron. Por kërcënimi më i madh sipas Rames është relativizmi në raport me atë çka u ndodhi hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Boterore. “Problemi më i madh dhe kërcënimi më i madh që ne na duhet të përballemi e ta konsiderojmë si diçka të përhershme në fokusin tonë në lidhje me shoqëritë tona, nuk është vetëm shprehja e menjëhershme e antisemitizmit në formën e vetëkuptueshme, por është relativizmi. Relativizmi në raport me atë çka u ndodhi hebrenjve, është relativizmi i asaj çka ndodhi gjatë kësaj Lufte të Dytë Botërore, që është realisht burimi i kryerjes së kësaj të keqeje kaq të madhe, nëse nuk do jemi të bashkuar në mënyrë që ta shterojmë këtë burim”, tha Edi Rama.

Por një kërcenim sipas kryeministrit të Shqipërisë është ai që vjen nga e gjithë veprimtaria që shfaqet në rrjetet sociale.

“Le të mos harrojmë se programet e para dhe përpjekjet për gjenocid kundër hebrenjve e kanë zanafillën qysh nga Lindja e Mesme nëpërmjet kriminalizimit të çdo akti që kryente ky komunitet dhe lajmi i rremë për ritualet e tyre. Këtu është zanafilla dhe forma e re e përhapjes përmes kësaj bote të jashtëzakonshme digjitale duhet të na shqetësojë. Realisht duhet të na bashkojë për të gjetur një zgjidhje dhe një rrugëdalje. Nuk ka dyshim që ka shumë shpresë në shoqërinë digjitale dhe një progres gjithëpërfshirës për njerëzimin që në fakt nuk duhet të kthehet në një makth të dalë jashtë kontrollit për askënd prej nesh. Për këtë, unë jam fort i bindur që Fuqitë e Mëdha, demokracitë e mëdha duhet realisht të veprojnë përpara se të jetë vonë. Sfida e luftës kundër antisemitizmit në format e veta më të sofistikuara duhet të jetë sot, më shumë se kurrë, një thirrje ndaj ndërgjegjes sonë kolektive”, perfundoi fjalën e tij kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Në forum u kyç edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani. 

Kryetarja Osmani e cila ishte e ftuar nderi në këtë forum, vlerësoi lart punën e organizatorëve, në veçanti angazhimin e Parlamentit të Shqipërisë si nikoqir të këtij forumi.

“Në shekullin 21, nuk ka asnjë justifikim për asnjë formë diskriminimi, për sulme ndaj njerëzve apo njerëzimit, sepse çdo veprim i tillë në vetvete përbën një veprim të drejtuar kundër dinjitetit njerëzor”, ka thënë kryetarja Osmani.

Të ngjashme