Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), në emër të komunave të Republikës së Kosovës dhe bazuar në vendimin e Këshillit të Kryetarëve, nesër, më 28 maj 2026, në ora 15:00, do të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Rregullores Nr. 07/2025 për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil.
Lënda në Gjykatën Kushtetuese do të dorëzohet nga Kryetari i Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi, në emër të komunave të Republikës së Kosovës.
AKK vlerëson se dispozita të caktuara të kësaj rregulloreje cenojnë parimet kushtetuese të vetëqeverisjes lokale dhe autonominë e komunave në ushtrimin e kompetencave të tyre kushtetuese dhe ligjore.
Komunat konsiderojnë se:
rregullorja rrit kontrollin e nivelit qendror mbi administratën komunale;
kufizon autonominë e komunave në menaxhimin e personelit;
krijon ndërhyrje në kompetencat vetanake të pushtetit lokal;
dhe është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.
AKK thekson se komunat nuk janë kundër reformave në administratë publike, por çdo reformë duhet të ndërtohet në partneritet me pushtetin lokal dhe në respekt të plotë të autonomisë komunale të garantuar me Kushtetutë.
Përmes kësaj kërkese në Gjykatën Kushtetuese, komunat synojnë mbrojtjen e rendit kushtetues, të parimit të decentralizimit dhe të funksionimit demokratik të pushtetit lokal në Republikën e Kosovës.
AKK do të vazhdojë të përdorë të gjitha mekanizmat institucionalë dhe ligjorë për mbrojtjen e të drejtave dhe kompetencave kushtetuese të komunave.