Premtimet parazgjedhore në politikat sociale mbeten të pabazuara dhe të pashpjeguara

Prishtinë | 11 Shk 2021 | 12:52 | Nga Ekonomia Online

Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” vlerëson se premtimet dhe zotimet në politikat sociale të partive kryesore politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë ose të pabazuara ose të pashpjeguara mjaftueshëm.

Nga ato që kanë paraqitur partitë politike, vërehet se paraqiten premtime që tingëllojnë mirë, porse nuk tregohen afatet sesi do të realizohen ato dhe as nuk ka ndonjë analizë sesi masat e propozuara do të mbërrijnë efekt.

Premtimet dhe zotimet janë bërë shpesh duke e marrë për bazë shpenzimin, por jo edhe të hyrat se nga do të vijnë ato para. Pra, nuk ka analizë dhe shpjegim se nga ku mund të merren ato para për t’i shpenzuar këto premtime.

Kësisoj, edhe në këto zgjedhje, partitë politike vazhdojnë të operojnë me traditën e vjetër të premtimeve megalomane dhe të përgjithësuara në funksion të maksimalizimit të votës.

P.sh:

Partia Demokratike e Kosovës duhet të tregojë se ku do t’i merr 1 miliard euro për ta ndihmuar ekonominë. Propozimi i PDK-së shpjegon në pak detaje se si do të veprojë në lidhje me caktimin e pagës minimale. Ajo e ka dhënë si premtim të cilin do ta bëjë menjëherë pas marrjes së qeverisjes, por pa analizuar qartë dhe saktë sesi do të ndikojë në sektorin ekonomik të Kosovës, që ky vendim të mirëpritet e të zbatohet me lehtësi.

Nga ana e saj, Lëvizja VETËVENDOSJE!, programin e ka shumë të përgjithësuar. Në këtë kuptim, nga ajo që lexohet në programin e tyre prej 52 faqesh shihet se si zotimet konkrete nuk janë të zbërthyera në afate kohore se kur do të realizohen.
Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” rikujton se paga minimale në Republikën e Kosovës nuk ka ndryshuar që nga viti 2010, kur është caktuar 130 euro dhe 170 euro (në bazë të ndarjes moshore). Ndonëse qeveritë e dhjetë viteve të fundit kanë promovuar rritje ekonomike, paga minimale nuk është rikonsideruar, edhe pse me Ligjin e Punës është obligim ligjor që ajo të caktohet në çdo fundvit. Vendimi për ta rritur pagën minimale është neglizhuar nga secila qeveri dhe është heshtur gjatë gjithë kohës.
Konsiderojmë se mënyra e tillë e premtimeve dhe zotimeve po shkakton dy probleme:

  • Po ndikon në humbjen e kredibilitetit të partive politike, apo po e zhduk rëndësinë e programeve;
  • Po ndikon në besueshmërinë e institucioneve në përgjithësi.
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme