Komisioni për Buxhet dhe Financa ka shqyrtuar Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2020-2022, raporton Ekonomia Online.
Gjatë diskutimit, kryetari i komisionit, Lumir Abdixhiku, ngriti çështjen e mungesës së hapësirave për deputetë brenda ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
Abdixhiku ka thënë se stafi politik është ankuar për hapësirë të pamjaftueshme dhe kushte joadekuate në Kuvend.
“Stafi politik është ankuar edhe për hapësirë dhe kushte jo adekuate. Nëse për tri vitet e ardhshme nuk kemi parapa zhvillime në këto hapësira e shoh të vështirë punën në Kuvend. A ka të paraparë rritje të hapësirave edhe për deputetë. Është i vetmi institucion ku deputeti nuk ka zyrë pune”, ka thënë Abdixhiku.
Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, tha se jo zyrtarisht nga informacionet është bërë e ditur se Presidenca do të zhvendoset nga Kuvendi dhe do të lirohen zyrat e zëna deri më tash.
“Është rënie e investimeve sepse kanë kontinuitet. Për hapësira sipas informatave ende jo zyrtare është planifikuar që Presidenca të lëshojë hapësirat e Kuvendit, mendohet që me lirimin e këtyre zyrave të pajisim zyrat me inventar. Është menduar që për fillim deri të gjendet një zgjidhje optimale dy apo tre deputetë të shfrytëzojnë një zyrë. Jemi me një numër 70 deputetë që do t’i sistemojmë në zyrat e reja, por të mos harrojmë se kemi nevojë për zyra edhe për administratë. Kuvendi nuk ka mundësi për zyra me qira prandaj e vetmja zgjidhje është zyrat e liruara nga Presidenca”, tha Krasniqi, raporton EO.
Ai prezantoi edhe kornizën afatmesme të shpenzimeve.
“Në takimin që kemi pasë me grupin punues për përgatitjen e kornizës afat mesme ka dalë një përfundim se duhet të japim sqarim për objektin Vila Gërmia. Shqetësim është kronologjia e investimit te Vila Gërmia. Është procedurë dhjetë vite. Një milionë e 600 mijë euro Kuvendi ka shpenzuar për këtë objekt. Te çështja e subvencioneve është një projekt të cilën përmes rregullores është sjellë. Sa i përket kornizës dhe të dhënave që i kemi prezantuar në vitin 2020, janë mbi 12 milionë, në 2022, mbi 11 milionë” , tha ai.
Deputeti Sami Kurteshi ka kërkuar një përgjigje të qartë ndaj sekretarit për materialet e dërguara në e-mail dhe kopjet në letër.
“Po mendoj dhe po dërgohet edhe në e-mail edhe po dërgohet letër. Nuk e di a është qëllimisht, është dëm ky. Ai deputet që nuk donë me punu në kompjuter ia shpërndajmë në letër. Por jo të dyjat.
Sekretari Krasniqi tha se materialet më nuk do shpërndahen në letër, por në formë elektronike.
“Ftesat janë inicim i pjesëmarrjes. Mund të ketë deputet që nuk qasje. Materialet do dorëzohen në formë elektronike”, tha Krasniqi.
Me katër vota për, një kundër dhe një abstenim Komisioni për Buxhet dhe Financa ka miratuar Raportin vjetor të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2018.
Po ashtu ka kaluar edhe Raporti Vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2018 me pesë vota për dhe një abstenim.
Komisioni me pesë vota për dhe dy abstenime e dërgoi në kryesi kornizën afatmesme për shpenzimet e kuvendit 2020-2022, me rekomandim për hapësira të Kuvendit dhe për zgjidhje të Vila Gërmisë.
Komisioni po ashtu kaloi me 5 vota dhe një abstenim Projektligjin për të Drejtën Ndërkombëtare Private dhe amendamenteve të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.