Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka zbuluar se qeveria botërore e futbollit do të shqyrtojë mundësinë e zgjerimit të Kupës së Botës në një turne me 64 kombëtare për edicionin e vitit 2030.
Kupa e Botës tashmë është në prag të një zgjerimi të madh në vitin 2026, kur turneu do të kalojë nga 32 në 48 skuadra pjesëmarrëse.
Botërori i vitit 2026 po organizohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Meksika, ndërsa formati me 32 skuadra kishte qenë në fuqi nga viti 1998 deri në Botërorin e vitit 2022.
Infantino konfirmoi se pas përfundimit të Botërorit të kësaj vere do të zhvillohen diskutime për mundësinë e kalimit në një format me 64 kombëtare.
“Ky është padyshim një çështje që do të shqyrtohet dhe diskutohet në komisionet përkatëse pas kësaj Kupe Bote,” deklaroi Infantino në një intervistë për mediumin zviceran “Bluewin”.
“Çdo komb duhet të ketë të drejtën të ëndërrojë pjesëmarrjen në Kupën e Botës. Mund ta shihni se cilësia e kombëtareve është jashtëzakonisht e lartë dhe po rritet gjithnjë e më shumë në mbarë botën. Nëse nuk u jepet vendeve më të vogla mundësia për të marrë pjesë në Kupën e Botës, atyre do t’u mungojë motivimi për të vazhduar përmirësimin,” shtoi ai.
Presidenti 56-vjeçar i FIFA-s e cilësoi gjithashtu zgjerimin e Kupës së Botës në 48 skuadra si “100 për qind të suksesshëm”, duke theksuar reagimet pozitive ndaj formatit të ri përpara debutimit të tij në edicionin e ardhshëm.
Kupa e Botës 2030 do të jetë historike, pasi do të zhvillohet në disa kontinente.
Ndeshjet do të organizohen në gjashtë shtete të shtrira në tre kontinente.
Uruguai, organizatori i Botërorit të parë në vitin 1930, së bashku me Argjentinën, kampione e vitit 2022, dhe Paraguain, do të presin nga një ndeshje hapëse secili.
Pjesa tjetër e turneut, me 101 ndeshje në formatin me 48 skuadra, do të zhvillohet në Marok, Portugali dhe Spanjë.
Diskutimet për një zgjerim të mëtejshëm të turneut në vitin 2030 nisën në shtator të vitit 2025, pasi FIFA mori një propozim zyrtar nga një delegacion i liderëve me ndikim nga Amerika e Jugut.