Presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, e ka pranuar se do të ishte gënjeshtër po të thoshte se atij s’i pëlqen ideja e emërimit të Pep Guardiolës së Manchester Cityt në postin e trajnerit në Allianz.
Ish-trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka qenë i përfolur për një kalim potencial te “Zonja e Vjetër” gjatë kësaj vere, veçanërisht pasi Manchester City është dënuar me dy vjet pezullim nga garat evropiane.
Por, presidenti i Juventusit beson se Guardiola nuk do të largohet nga Etihadi, ashtu siç ka thënë edhe vetë spanjolli, përkundër që e ka pranuar se do t’i pëlqente ideja e të pasurit Guardiolën në Allianz.
“Do të bija në herezi nëse do të thosha se askush nuk mendon për Guardiolën. Për momentin, ai është shumë i lumtur aty ku është. Nëse unë jam i lumtur aty ku jam, ka pak gjasa të largohem nga aty”, ka thënë Agnelli.
Agnelli e komentoi edhe mundësinë e transferimit të kapitenit të Barcelonës, Lionel Messit, këtë verë pasi që argjentinasi e ka një klauzolë në kontratë që e lejon atë të largohet pa asnjë cent çdo verë nga Camp Nou, edhe pa pëlqimin e klubit.
“Kjo duhet të na nxisë. Top pesë skuadrat janë Milani, Interi, Juventusi, Roma dhe Napoli. Nëse të gjitha do ta kishin nga një kampion të kalibrit të Messit, do të ishte më mirë për të gjithë”, ka thënë Agnelli. /Gazeta Express/