Nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është organizuar akademi përkujtimore me rastin e 70-vjetorit të rënies së heroit Rifat L. Berisha, raporton Ekonomia Online.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, tha se sot nderohet një hero i madh i vendit dhe se është krenarë që ai e mbrojti vendlindjen tonë.
“Sot në këtë akademi i bëjmë nderimet më të larta institucionale shtetërore të këtij atdhetari, patriot dhe nacionalist të palëkundshëm. Ndihem krenar që edhe luftën e fundit UÇK një nga bazamentet më të fuqishme të saj e kishte vendlindjen e Riftat Berishës që ishte frymëzim për bashkatdhetarët e vizion i tij për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin kombëtar”, tha ai.
Thaçi tha se Berisha sot nderohet me urdhrin “Hero i Kosovës”.
“Si president, kam marr vendim që atdhetari Riftar Berisha të nderohet me urdhrin “Hero i Kosovës”, tha Thaçi.
I biri i Riftar Berishës, Muhamer Berisha, tha se ndjehet krenarë dhe i nderuar që babai i tij sot po nderohet me titullin “Hero i Kosovës”.
“Jam i lumtur dhe nderuar që arrita këtë ditë të marr pjesë në një ceremoni të bukur e lavdishme të vlerësimit dhe nderimit të punës së babait tim në ditët e vështira heroike në 1949 kur dha jetën. Jam i nderuar që sot ai vlerësohet me vlerësimin më të lartë dhe ky jepet nga presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi”, shtoi ai, raporton EO.
Zëvendësministri i FSK-së, Agim Çeku, para të pranishmëve ka treguar veprimtarinë e Berishës deri në rënien e tij.
“Riftat Berisha lindi në kohën e kryengritjeve më të mëdha ku ushtonte Gryka e Kaçanikut dhe jehonte Gryka e Caralevës. Ai asnjëherë nuk e hoqi mendjen nga Kosova, Rifati u kthye në Kosovë në një kohë të rëndë për Kosovën ku iu gjend atdheut për aq kohë sa shërbeu ai shërbeu me nderë duke ndihmuar shumë njerëz e jetëra nga fashizmi italian”, tha Çeku.