Presidenti Thaçi priti zyrtaren e lartë të DASH-it, Susan Falatko

Prishtinë | 28 Maj 2019 | 16:23 | Nga Ekonomia Online

P Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot U.D. Drejtoreshën e Zyrës për Çështje të Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Susan Falatko, e cila shoqërohej edhe nga ambasadori Philip Kosnett.

Presidenti Thaçi dhe drejtoresha Falatko biseduan për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë.

“Kosova është e përkushtuar për forcimin e fqinjësisë së mirë. Dialogu duhet të vazhdojë pa kushte, me një mbështetje konsensuale të të gjitha shteteve të Kuintit”, u shpreh presidenti Thaçi, duke theksuar se roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm.

Po ashtu, presidenti Thaçi theksoi se lufta ndaj krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit është permanente dhe ajo do të vazhdojë.

“Institucionet vendore para një viti kanë marrë kompetencat në fushën e sundimit të ligjit dhe tani kemi një dinamikë të shtuar”, ka thënë presidenti Thaçi. 

Në anën tjetër, drejtoresha Susan Falatko theksoi rëndësinë që Kosova të mbetet e përkushtuar në forcimin e sundimit të ligjit dhe në arritjen e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Ajo rikonfirmoi se SHBA-ja do të mbetet e përkushtuar në avancimin e interesave bilaterale dhe rajonale.

Presidenti Thaçi e falënderoi drejtoreshën Falatko për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së.

Të ngjashme