Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti ka prezantuar projektin e ri të nisur nga Ndërmarrja Publike Banesore që ka të bëjë me përmirësimin e kushteve në banesat kolektive ekzistuese, model ky i cili ka filluar në ndërtesën në rrugën “Perandori Justinian”.
Gjatë prezantimit është thënë se kjo të ndihmojë më shumë në sigurinë dhe mirëmbajtjen e banesave kolektive, raporton Ekonomia Online.
Kryetari Ahmeti ka thënë se më këtë plan do të ofrohen pako të ndryshme të shërbimeve duke filluar nga pastrimi i objektit, riparimi i ashensorëve, por edhe vendosja e ashensorëve të rinj.
“Investimi fillestar merret nga Ndërmarrja pastaj qytetarët shkruajnë kontrata për shërbimin të cilin e marrin dhe sot prezantojmë ndërtesën e parë model në mënyrë që edhe qytetarët e tjerë ta shohin, sepse tashmë veç kemi kërkesa prej ndërtesave të shumta. Sot do ta shihni vendosjen e dyerve me interfon, me kartela, mirëmbajtjen e brendshme, lyerjen e objektit, pra do të ketë një gamë të gjerë të shërbimeve që ne do t’i ofrojmë dhe besojmë se kjo do të kontribuojë edhe në sigurinë edhe në mirëmbajtjen dhe pastrimin e bërllokut e deri te shërbimet e ndryshme”, ka thënë kryetari Ahmeti.
Kurse, drejtori i Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), Negjat Kryeziu, ka thënë se është hera e parë që NPB-ja bënë një investim të tillë, duke shtuar se është pikërisht edhe hera e parë kur kjo ndërmarrje një pjesë të fitimeve të veta i ndan për shërbime për qytetarët.
“Është hera e parë që NPB një pjesë të fitimeve të veta i ndan për shërbime për qytetarët. Është hyrja e parë model që kemi bërë ndërsa e kemi planin operativ që kryesisht në lagjet ku nuk funksionojnë ashensorët, nuk funksionon mirëmbajtja e hyrjeve zakonisht në lagjet Dardania, Ulpianë dhe Qendra që të intervenojmë. Plani operativ është i përbashkët presim ndihmën edhe të aktorëve tjerë”, ka deklaruar Kryeziu.
“Sot është një investim i parë i joni ku faktikisht mendojmë që deri në fund të vitit diku 50 hyrje të tjera ti qojmë përpara dhe të investojmë. Ne kërkojmë që qytetarët të organizohen sikurse kjo hyrje këtu, t’i formojnë këshillat e banorëve që ne të iu ndihmojmë me projekte tona. Është hera e parë që NPB-ja bënë diçka të tillë”, ka thënë ai.
Ndërsa, përfaqësuesi i banorëve të ndërtesës ku është bërë ky investim, Sadedin Prekazi, tha se është hera e parë kur në kryeqytet ndodhë një investim i tillë.
“Jemi të nderuar që na vjen kryetari i Komunës të na vizitojë dhe të shoh suksesin e NPB-së, por në të njëjtën kohë edhe suksesin e banorëve që jetojnë dhe vetëm mund të ju them që kjo punë e nisur që është e para në historikun e Prishtinës nuk ka pasur kësi riparimi cilësor dhe thelbësor”, ka thënë ai.