Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka shqyrtuar vendimin e Qeverisë për emërimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Hasime Mazreku, Skender Komoni, Ranko Djokiq, Qemajl Behrami, Bekim Selimaj dhe Avni Ajdini janë emrat të cilat u propozuan për anëtarë të bordit të AKP-së.
Kryetarja e komisionit Sala Berisha-Shala tha se vendimin për emërimin e anëtarëve Qeveria e kanë marrë që në janar, raporton Ekonomia Online.
“Me 22 janar kemi marr vendimin e Qeverisë për emërimin e anëtarëve të bordit të AKP. Bordi i AKP është jo funksional për shkak se për momentin janë vetëm dy anëtarë të cilët kanë pas mandat më të gjatë”, tha ajo.
Ata vendosën që 6 emrat 3 nga të cilët kanë qenë në këtë bord të përcillen në seancë. Vendimi bashkë me biografitë e kandidatëve i dërgohet kuvendit të Republikës së Kosovës.
Qeveria e Kosovës, kishte marrë vendim me 22 janar të këtij viti për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët për anëtarë të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Gjithashtu Qeveria Haradinaj kishte përjashtuar ekspertët britanikë nga procesi i emërimit të anëtarëve të Bordit të “Trepçës” dhe të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Edhe pse të dy këto borde ishin pjesë e listës së memorandumit të dakorduar mes Kuvendit, Qeverisë dhe Ambasadës britanike, i cili ishte bërë për emërimin e njerëzve kredibilë në pozita të larta, Qeveria kishte kërkuar nga Ambasada britanike që të tërhiqet nga përzgjedhja e anëtarëve.