Në takime formale me zyrtarët e Bankës Botërore te mbajtura gjate kesaj jave, Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm – KOSID ka arritur të kuptojë një sërë shkelje ligjore dhe procedurale në bisedimet e Qeverisë së Kosovës, Bankës Botërore dhe Contour Global, për ndërtimin e kapacitetit të ri gjenerues me qymyr.
Procesi i tenderimit për termocentralin “Kosova e Re” sipas KOSID-it, ka anashkaluar ligjet e Kosovës, duke bërë që kompania “Contour Global” të kualifikohet në kundërshtim me parimet e konkurueshmërisë dhe kritereve të Bashkimit Evropian.
“Qeveria e Kosovës dhe Banka Botërore janë duke refuzuar të kryejnë studimin e Ndikimit Mjedisor dhe Social të projektit tash e sa kohë, studim ky i domosdoshëm për projekte të tilla”.
“Këto të fundit, gjithashtu kanë dështuar të përpilojnë studimin e fizibilitetit ekonomik dhe financiar të projektit të propozuar si dhe në negocimin e një marrëveshje punësimi për popullsinë lokale”, thekson KOSID.
Ky proces është duke u zhvilluar larg publikut dhe në mënyrë jo-transparente!
KOSID, gjithashtu posedon raportin investigativ të Panelit të Inspektimit të Bankës Botërore për zhvendosjen e popullsisë që jeton në afërsi të termocentraleve në kuadër të përgatitjeve për projektin e propozuar “Kosova e Re”. Ky raport ka gjetur shkelje të rënda dhe alarmante me dëmtim të interesit të popullatës. Dokumentin mund ta gjeni të bashkangjitur.
Ministritë përgjegjëse të cilat e posedojnë këtë dokument, përkundër gjetjeve të Panelit të Inspektimit (gjetjet e të cilave janë të listuara më poshtë), refuzojnë të adresojnë problemet që kanë shoqëruar zhvendosjen e dhunshme të popullsisë.
1. Qytetarët e Hades kanë pësuar dëmtime serioze të ekonomive familjare, (humbje të aseteve ekonomike dhe sociale) si pasojë e evakuimit emergjent të ndodhur në vitin 2004, ku një sërë institucionesh ndërkombëtare si (UNMIK, Institucionet e Përkohshme të Kosovës dhe më vonë Qeveria e Kosovës) kanë qënë të përfshira në këto zhvendosje masive të dhunshme të popullsisë.
2. Paneli i Inspektimit konstaton, se Korniza e Politikes së Zhvendosjes (dokumenti i propozuar nga Banka Botërore) dhe i keq implementuar nga Qeveria e Kosovës (respektivisht Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor) ka dështuar të zhvendosë popullsinë e Hades sipas standardeve të vetë Bankës Botërore dhe për pasojë ka rënduar jetën e qytetarëve.
3. Që nga viti 2004 e deri më tani, Qeveria e Kosovës e keq-udhëzuar prej Bankës Botërore ka dështuar që të realizojë parimin bazik të të drejtave të njeriut për jetë me dinjitet i cili garantohet me Kushtetutë të Kosovës.
“Nga faktet e përmendura dhe gjendja e përshkruar më lartë, ky proces, kryekëput i padrejtë, nxjerr në pah mugesën e transparencës së Qeverisë së Kosovës, e cila duke dashur të përfundoj këtë proces jo transparent, është duke injoruar me qëllim dhe paramendim gjetjet që tregojnë se ndikimi i termocentralit dhe hapjes së mihjeve të reja për furnizim me qymyr është katastrofale dhe me pasoja afat-gjate”.
“Këto pasoja reflektojnë negativisht në jetën e qytetarëve, zhvillimin ekonomik dhe dëmtojnë sistemin financiar të vendit. Nga përmbajtja e dokumenteve kuptohet qartë se asnjë qeveri me përgjegjësi dhe në respekt të sundimit të ligjit nuk do duhej të përfshihej në projekte që dëmtojnë interesin e qytetarëve”.
“Qeveria e Kosovës e veçanërisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministri Blerand Stavileci, mban përgjegjësi ligjore duke e futur vendin në detyrime financiare afatgjata ndaj operatorëve privatë në mënyrë të pa-studiuar dhe që qartazi do të kenë kosto të papërballueshme për buxhetin shtetëror dhe ekonomitë familjare”, thekson KOSID.