Profesorët ndërkombëtarë çmojnë lart konferencën e UBT-së

Prishtinë | 01 Nën 2016 | 17:48 | Nga

Konferenca e pestë ndërkombëtare për Biznes, Teknologji dhe Inovacion 2016, e zhvilluar nga 28-30 tetor në Durrës të Shqipërisë, mblodhi shumë studiues nga anë të ndryshme të globit, të cilët paraqitën mbi 200 punime shkencore në të gjitha fushat.

Përveç pjesëmarrësve nga Kosova, në konferencë morën pjesë edhe profesorë dhe ekspertë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Austria, Greqia, Hungaria, Turqia, Polonia, Zvicra, Irlanda, Italia, Norvegjia, Gjermania, Franca, Brazili, Azerbajxhani, Kroacia, Shqipëria, Bullgaria, Mali i Zi, Maqedonia e shtete të tjera.

Pjesë e rëndësishme e kësaj konference ishin edhe profesorë ndërkombëtarë, të angazhuar në UBT, apo ekspertë përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, me të cilat ka bashkëpunim UBT-ja.

Në vijim, deklaratat e disa prej tyre:

Prof.dr. Zoltan Lakner nga Universiteti për Shkencat Ushqimore, Budapest: “Është një kënaqësi për mua që e kam pasur mundësinë të jem pjesë e konferencës tuaj të çmuar. Kjo krijon një strukturë dhe një platformë të mrekullueshme për shkëmbimin e ideve të ndryshme, të cilat e çojnë Kosovën dhe Shqipërinë edhe në konferenca të tjera ndërkombëtare.

Këtu e kam pasur mundësinë të takoj kolegë shumë të përgatitur dhe kam marrë përshtypje të reja mbi kërkimin dhe zhvillimin, si dhe kemi bërë një varg marrëveshjesh, që përqendrohen në zhvillimin e mëtejmë të aktiviteteve tona kërkimore.

Kjo konferencë ofron mundësi të mrekullueshme për të krijuar ide të reja dhe strukturë të re për zhvillim.

Ne kemi përgatitur shumë plane se si t’i aplikojmë dhe t’i bashkojmë forcat për të gjetur zgjidhje në aspektin e rritjes se sektorit të ushqimit, sigurinë e ushqimit, si dhe ngritjen e sistemit të arsimit të lartë në Kosovë.

Jam shumë krenar që e kam pasur mundësinë të marrë pjesë në procesin e akreditimit të Fakultetit për Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologjisë në Kosovë, në gjysmën e parë të këtij viti, kurse tash jam shumë i lumtur që ju keni një numër të konsiderueshëm të studentëve në këtë drejtim.

Po e shfrytëzoj këtë mundësi për të shprehur mirënjohjen e thellë për të shprehur vlerësimin tim të lartë profesional që kam për profesorët dhe studentët e UBT-së, si dhe për shtetin tuaj të ri dhe shumë dinamik, që na keni ftuar në këtë konferencë. Unë dhe kolegët e tjerë, nuk jemi vetëm nga shtetet fqinje apo vendet e Evropës Lindore, por nga e gjithë bota. Ndaj, i ftoj të gjithë kolegët dhe partnerët tanë që të jenë pjesë e zhvillimit tuaj dinamik dhe do të doja ta shihja suksesin tuaj në këtë proces.

Prof. dr. Karamjit S. Gill, Universiteti Brighton, Britania e Madhe: “UBT është një institucion shumë i suksesshëm dhe i mrekullueshëm me karrierë 15-vjeçare. Është një institucion që u ngrit nga fillimi, me kushte të limituara, dhe vazhdoi duke u rritur dhe tani ka arritur të bëhet institucion i rëndësishëm për shoqërinë e Kosovës. Është e mrekullueshme të ketë një lloj institucioni të tillë me kaq shumë kurse, kaq shumë studentë dhe staf akademik. Zhvillimet janë reale dhe mund të krahasohen me shoqërinë Kembrixh ose edhe vendeve të tjera të përparuara.

Ju keni një ngjarje, sepse ju e keni organizuar konferencën. I tërë ky grup i madh i njerëzve duket si familje dhe mendoj që kjo është e mrekullueshme. Është një organizim i plotë kulturor, akademik, profesional, prandaj është një eksperiencë mjaft unike”.

Prof. dr.Caroline Jeager-Klein, Universiteti Teknik i Vjenës, Fakulteti i Arkitekturës: “Mendoj se edhe këtë vit konferenca është shumë mirë e organizuar, si gjithmonë dhe erdhi përsëri me një përmbajtje profesionale në bazë të hulumtimeve, prezantimeve dhe kontekstit. Është gjithashtu sukses i madh që UBT i ka tërhequr universitetet nga më të shquarat dhe gjithashtu ka një pjesëmarrje të madhe nga Universiteti Politeknik i Tiranës, të cilët kontribuojnë për t’i pasqyruar punimet e shumta të studentëve dhe pjesëmarrësve të tjerë”.

Prof.dr.Felix Breitenecker, Universiteti Teknik i Vjenës: “UBT-ja vazhdon punën inovative 15 vjet radhazi dhe është kënaqësi që marr pjesë në konferencë. Shoh shumë zhvillime pozitive dhe temat janë interesante . Është me rëndësi ndërkombëtarizimi i UBT-së dhe prezantimet kryesisht nga teknologjia informative, por edhe nga mekatronika, ekonomia dhe fusha të tjera të veçanta. Pra, kjo është një zhvillim i suksesshëm i cili ndihmon edhe zhvillimin e industrisë.”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme