Përkundër vërejtjeve për mbrojtjen e fëmijëve Komisioni për të Drejtat Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ka miratuar Ligjin për mbrojtjen e fëmijës.
Vërejtje u dhanë, sidomos për buxhetin e ndarë vjetor prej vetëm 180 mijë eurove për 2017 dhe 2018 për mbrojtjen e fëmijëve, përfshirë viktimat e trafikimit.
Abit Hajredini, nga Zyra për Qeverisje të Mirë, në kuadër të Zyrës së kryeministrit, duke folur për Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve tha se fillimisht ka qenë një proces shumë i gjerë për të hartuar një ligj të tillë, ku është diskutuar me shoqërinë civile dhe shumë aktorë tjerë.
“Ka pasur shumë debate të brendshme të institucioneve në trajtimin e ligjit, që nga titulli dhe trajtimi i fëmijëve. Kemi pasur shumë takime me organizata të ndryshme dhe fillimisht është skanuar gjendja në vend duke i përdorur analiza të ndryshme të organizatave vendore dhe ndërkombëtare për të dalë një draft-ligj shumë kompakt”
“Duhet t’i kushtohet vëmendje buxhetimit të ligjit që të jetë më i kapshëm për t’i mbrojtur fëmijët. Si ekzekutiv kemi sfidë, por të shohim në praktikë se si do të shkojë ky proces”, tha Hajrdini.
Nenad Rashiq, ka thënë se sa i përket buxhetit të ligjit nuk sheh ndonjë diferencë të madhe ndërmjet viteve.
“Për vitin 2017 janë 180 mijë euro që do të përfitojnë fëmijët, po ashtu e njëjta është edhe me vitin 2018. Nuk mund të shoh përmirësim të statusit të fëmijëve me 180 mijë euro buxhet për mbrojtjen e fëmijëve sipas ligjit”, ka thënë ai.
Kujtim Paqaku anëtar i Komisionit nga radhët 6 Plus, ka thënë se nuk sheh rekomandime të qarta se çka është bërë në lidhje me parandalimin trafikimin e fëmijëve.
“Në këtë ligj nuk shoh rekomandime të qarta gjegjësisht se çka është bërë për parandalimin e trafikimit të fëmijëve. Fëmijët në rrugë që i hasim më tepër janë nga pjesëtarët e komunitetit rom, shkali, egjiptas që nuk janë nga Kosova dhe pjesa dërmuese janë nga Shqipëria, ata fëmijë trafikohen. Ne mund të kërkojmë rritje të buxhetit. Unë nuk do ta votojë këtë ligj nëse nuk shoh përmirësim për këtë kategori të ndjeshme. Ky është problemi i tërë Kosovës”, ka thënë ai.