Projektligji “problematik” i kinematografisë – Kërkohet ndryshimi i nenit për përzgjedhjen e drejtorit

Prishtinë | 28 Shk 2023 | 14:14 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Projektligji për Kinematografinë po mirëpritet nga kineastët, me ç’rast kërkuan që i njëjti të përshpejtohet për votim në Kuvendin e Kosovës. Por për të njëjtin u shfaqen edhe disa kritika sa i përket nenit për përzgjedhjen e drejtorit të Qendrës së Kinematografisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Gjatë së martës, Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport ka mbajtur dëgjim publik për këtë Projektligj me këtë komunitet.

E sa i përket nenit për përzgjedhjen e drejtorit të QKK-së, reagoi aktori i njohur kosovar, Sunaj Raça. Ai kërkoi që për këtë pozitë të ketë disa kritere.

Sipas këtij neni, nuk parashihet që drejtori i QKK-së të posedojë diplomë universiteti, por duhet të ketë vetëm përvojë pune profesionale në fushën e kinematografisë ose kulturës dhe përvojë në pozita drejtuese.

“Neni 13 i këtij ligji ku kërkohet përzgjedhja e drejtorit, mendoj që është shqetësuese fakti që nuk kërkohet arsimimi apo diploma. Unë mendoj se duhet të ketë kritere dhe të shpallet konkursi për anëtarët e jurisë, përndryshe me i zgjedhë anëtarët e jurisë drejtori është gabim, sepse vazhdimisht sillen emrat e njëjtë dhe arsyetimi është i kotë kinse ata nuk po pranojnë, pse nuk më ka thirr mua apo edhe shumë kolegë të mi? Anëtarët mendoj që duhet të kenë një mandat prej 4 vjetësh. Nuk mundet një njeri pa shkollë me udhëheq një institucion kaq të rëndësishëm. Duhet të specifikohet shkollimi në kinematografi”, tha Raça.

Me këtë propozim u pajtua deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha. Ajo tha se është për t’u brengosur që vetëm një drejtor të ketë në dorë një institucion.

“Kështu qysh e kanë bërë se krejt drejtori i ka në dorë edhe nëse nuk është i fushës ka mundësi me pas shumë probleme. Të kish qenë që këshilli drejtues të marrë vendim për programin vjetor, atëherë drejtori normalisht mund të jetë i fushës tjetër. A mendoni që duhet me ua lanë komplet QKK-në në dorë vetëm një drejtori? Jo. Kështu qysh është normalisht që duhet të ndryshohen disa kritere. Brenga ime më e madhe është se a duhet me ja lanë fuqinë e krejt Kinematografisë një personi”, tha Hoxha.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së Qendrës Kinematografike të Kosovës, Lum Çitaku tha se ky ligj është i nevojave artistike.

“Është i artikuluar në bazë të nevojave dhe risive. Një prej aspekteve kryesore është rritja e mbështetjes për filmat e shkurtë në 50% më shumë se vitin e kaluar. Integrimi i njësisë do t’i menaxhojë të gjitha kinematë publike në kuadër të këtij ligji. Programi i edukimit është një nevojë, filmi është sot një pjesë ku të rinjtë edukohen përmes tij”, tha Çitaku.

E regjisori, Kastriot Avdyli, pati kritika për vonesat e deputetëve në këtë mbledhje. Ai tha se në kohën kur është tentuar të kalojë Projektligji për Kinematografinë, janë rrëzuar Qeveritë.

“Nuk ishte korrekte vonesa gjysmë orëshe, e aq më pak korrekte mungesa e deputetëve. Sa herë që ka ardhë me u aprovu ligji për kinematografinë janë rrëzuar qeveritë, shpresoj që tani do të bëhet ligji. Kinematografia ka bërë shumë gjëra të mëdha me ndihmën e artistëve. Ka ardhë koha që Qendra e Kinematografisë së Kosovës të jetë Agjension i Pavarur në kuadër të Kuvendit”.

“Për hir të trashëgimisë dhe në koherent me vendet fqinjë dhe të tjera, ‘KosovaFilm’ nuk duhet të shuhet, por të jetë institucion i pavarur shtetëror. Është koha që të mos shuhet por ta ketë atë funksionin e ri, arkivimin e filmave. Duke u bazuar në përvojat e institucioneve ose agjencive të ndryshme duhet të ketë bord, jo këshill. Po të kemi bord do të kemi mbikëqyrje më të mirë, kurse si këshill unë këshilloj, ti këshillon e kështu”, tha Avdyli.

Të ngjashme