Pronarët e hoteleve janë të gatshëm që objektet e tyre t’i japin në shfrytëzim për spitale për trajtimin e të infektuarve me Coronavirus, raporton Ekonomia Online.
Hysen Sogojeva, kryetar i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, ka konfirmuar se këtë propozim e kanë dhënë qysh para dymuajsh.
“Ne si Odë e Hotelerisë dhe Turizmit ne këtë propozim e kemi dhënë edhe më herët qysh para dy muajve, është iniciativë e mirë dhe kjo po shihet që ne kur e kemi bë propozimin përveç që ka qenë ky sektori i atakuar megjithatë edhe në këto kushte të vështira ka dashtë me i dal në ndihmë shtetit, prandaj edhe janë të gatshëm me bo këtë gjë”.
Por ai ka thënë se deri më tani nuk janë kontaktuar nga institucionet përgjegjëse për ndonjë kërkesë të tillë.
Mirëpo Sogojeva thotë se shtetit duhet të marrë përgjegjësi që nëse hotelet lëshohen për spitale, ana logjistike të kompensohet nga shteti.
“Jo nuk jemi kontaktuar e as nuk e kemi e pas bisedë për këtë, mirëpo ne e kemi dhënë mundësinë që nëse veç kemi të raste të rritjes së pandemisë atëherë nëse nuk ka vende jemi të gatshëm të lëshojmë edhe hotelet. Mirëpo nëse veç e marrin këtë vendim atëherë ne kërkojmë së paku këtë pjesën logjistike me heq shtetit për shembull mos me u marrë me pastrimet me këto gjërat i takojnë shtetit”.
“Ne po i lëshojmë sallat që ndoshta kanë kushtuar me qindra euro për me u bë, tash ajo shndërrohet në diçka tjetër, tash ajo është shumë normale që me kërkuar kompensim, bile edhe u ndihmon bizneseve, duke e marrë për bazë që edhe Ligji për Rimëkëmbjen ende nuk është miratuar”.
Përderisa nënkryetari i Prishtinës, Muhedin Nushi, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se numri i të infektuarve me Coronavirus në Kosovës do të vazhdojë të rritet ditëve në vazhdim.
Sipas tij, shtabi i përgjithshëm në nivel qeveritar me atë komunal duhet të bëjnë përzgjedhjen e hoteleve ose vendeve të tjera ku do të mund të shtroheshin personat e infektuar.
Komuna e Prishtinë ka numrin më të madh të rasteve me Covid-19 në nivel vendi.