Pronari i “Bellmondo” në Ferizaj u gjet i vdekur në dhomën e hotelit, sekuestrohet vetura e tij

Prishtinë | 28 Nën 2023 | 14:33 | Nga Ekonomia Online

Sot në media është raportuar për një rast të që ka ndodhur të hënën në mbrëmje në Ferizaj, ku në një lokal është gjetur një burrë pa shenja jete dhe akoma nuk dihen rrethanat në të cilat ka humbur jetën. Vdekja e tij është cilësuar si e dyshimtë dhe kanë nisur hetimet, teksa tashmë janë zbuluar detaje të reja për rastin.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur në restorantin “Bellmondo” në fshatin Lloshkobare të Ferizajt dhe personi që u gjet i vdekur është pronari Pashk Marki.

Siç merr vesh Sinjali, i ndjeri u gjet i shtrirë pa shenja jete në njërën nga dhomat e këtij objekti dhe vdekja e tij u konstatua nga ekipi mjekësor që intervenoi në vendin e ngjarjes.

Pas ekzaminimeve për shenjat vitale, mjeku konstatoi se viktima ishte pa shenja jete dhe trupi më pas është tërhequr për t’u dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Sipas të njëjtave burime, në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse policore, me ç’rast janë kryer kontrollet e nevojshme. Po ashtu janë sekuestruar disa dëshmi që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit – në mes tjerash edhe vetura e të ndjerit.

Lajmin e kanë konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Ferizaj dhe është bërë e ditur se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Vdekje e dyshimtë”./Sinjali

Të ngjashme