Protesta apo dialog? Qytetarët flasin për krizën në formimin e institucioneve

Prishtinë | 11 Gus 2026 | 12:05 | Nga Artiona Çitaku

Qytetarët kanë qëndrime të ndryshme sa i përket mundësisë së protestave për shkak të ngërçit në formimin e institucioneve të reja në vend, raporton Ekonomia Online.

Disa e shohin protestën si mënyrë për t’i dhënë fund bllokadës institucionale, ndërsa të tjerë konsiderojnë se zgjidhja duhet të vijë përmes dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet partive politike

Qytetari Ismet Krasniqi, në një prononcim për Ekonomia Online tha se situata në vend është krejt e pakuptimtë, duke shtuar se qytetarët dalin në zgjedhje që të formohen institucionet.

Ai deklaron se nëse mbahet një protestë e tillë do të merrte pjesë, por se thotë se duhet të dihet se për kë po mbahet protesta.

“Me qejf! Se votën na e kemi dhanë për me u formu institucionet. Tash, krejt e pakuptimtë kjo! Këtë gjendje si jemi edhe mos me u bë institucionet, çfarë kuptimi kanë zgjedhjet? Po nuk di çfarë rrezikon më shumë, rrezikuar ka boll. Ndoshta me bllokimin e gjithçkaje. S’po di, nuk di, veç nuk është gjendja e mirë, nuk është. Nuk di çfarë të them tjetër. Më e mira e mbarë ka qenë me u formu, me këqyrë çfarë po bëhet, se nuk bëhet kështu boll, besoj. Po, dal. Dal. Po për kë? Për çfarë dilet në protestë? Me e zhblloku? Këta ish dashtë me çblloku vetë. Se populli del në zgjedhje, t’ia jep votën. Po, inshallah bëhet mirë. S’di, nuk di”, tha Krasniqi.

Qytetari tjetër, Muzafer Qafleshi për Ekonomia Online u shpreh se qytetarët e kanë kryer obligimin e tyre përmes votës, duke shtuar se në rast se organizohet ndonjë protestë për të kërkuar zgjidhje të ngërçit politik, atëherë duhet të dihet në favor të kujt është protesta.

“Patjetër, është përgjegjësi e tyre. Tash me kërkuar protesta, për çka janë ato protesta? Në favor të kujt janë ato protesta? Do të thotë, favor dhe individuale, grupeve, interesave grupore. Do të thotë, qytetari ka dalë e ka kryer obligimin e vet si qytetar, tash është obligimi i partive me u ulë, me u marrë vesh, me i themeluar institucionet edhe me ecë përpara.

Dëgjo, ato duhet me vazhduar. Ka pasë me qenë edhe më përpara, po. Ajo duhet me u ulë me biseduar për interesa shtetërore bre, jo për interesa grupore, individuale, partiake. Ne qytetarët, për shembull unë jam pensionist, unë pres prej atyre një standard. Me 150 euro çka bëjmë ne? Do të thotë askush s’merret me ne. Opozita ka kauza sa të duash për me u marrë me probleme shoqërore me të cilat ballafaqohemi, e jo për çka ato protesta? Unë s’po e kuptoj pse protesta. Sinqerisht s’po e kuptoj. Do të dalin në rrugë me protesta, çka? Do të thotë po e mohojnë votën e qytetarit tani në atë mënyrë. Nuk po e pranojnë. Në qoftë se qytetari ka votuar, ulu, mirë merru vesh, themeloni institucionet edhe le të kryhet puna”, tha Qafleshi.

E mërgimtari, Bajrush Kllokoqi thotë se nuk do të marrë pjesë në protestë nëse thirret një e tillë, pasi që çështja e formimit të institucioneve kërkon bashkëpunim mes partive.

“Jo. Nuk është e drejtë. Se zgjidhen me bashkëpunim zgjidhen të dyja ato. Edhe ka me u zgjedhë 100% presidenti kësaj radhe, dashtë e pa dashtë. Po. Mendoj. Po duhet me u bë. Opozita nuk ka tjetër, pos me përkrahë me zgjedhë sipas meje zgjidhjen e problemeve të Kosovës. Duhet me u bë. Jo. Nuk duhet, se këtu është një thelb i madh, nuk është veç këtu. Këtu është qëllimi tjetërku, nuk është veç për president, se ka president që mundet me u zgjedhë për 1 orë, 2 orë. Siç kanë zgjedhur përpara. Këtu është qëllimi më kryesor është këta me dëmtuar bashkë me Vetëvendosjen. Me pa pak me largësi. Jo që i përkas për shembull unë nuk jam në një parti politike, mirëpo s’ka tjetër zgjidhje. Unë jashtë, që 35 vite. Edhe merrem edhe kështu… gjithmonë i përcjell debatet, pa marrë parasysh shqip.  Por në fund duhet me u bë bashkë për këtë çështje se kjo është edhe pasqyrë shumë e keqe e rendomtë”, tha Kllokoqi.

Të hënën deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka paralajmëruar protesta, siç ka thënë, për vonesën e konstituimit të Kuvendit.

“Ne e dimë se mbi 20 raste janë që është vërtetuar se kanë shkelur Kushtetutën. Më nuk ka rrugë vetëm institucionale dhe e vetmja (zgjidhje) do të jetë rruga”, ka thënë ai.

Të ngjashme