Protestuesit marrin peng 8 policë

Prishtinë | 11 Tet 2019 | 16:36 | Nga Ekonomia Online

Tetë oficerë policie janë marrë peng nga turma e protestuesve në Ekuador, ku demonstratat e vazhdueshme kanë paralizuar kryeqytetin Quito.

Shtatë burra dhe një grua, të gjithë punonjës policie, u nxorën përpara turmës së demonstruesve. Ata u detyruan që të hiqnin uniformën e policisë.

Për shkak të trazirave të shumta, Qeveria dhe Presidenti janë larguar nga kryeqyteti Quito. Presidenti Lenin Moreno ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe është zhvendosur në qytetin e dytë më të madh, Guayaquil.

Disa persona kanë humbur jetën nga protestat e dhunshme. Demonstruesit kërkojnë heqjen e masave shtrënguese nga qeveria, e cila njoftoi fundin e subvencionimit të karburantit pas një marrëveshje që nënshkroi me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Protestuesit kërkojnë edhe dorëheqjen e Presidentit Moreno. Nga ana tjetër, ky i fundit është përpjekur për bisedime me protestuesit, por duket se është e pamundur.

Protesta drejtohet nga indigjenët, të cilët kanë rrëzuar nga pushteti tre presidentë në dekadat e fundit. Një prej udhëheqësve të protestës tha përpara turmës se demonstrata e tyre do të përshkallëzohet akoma më shumë gjatë fundjavës. “BBC” ka raportuar se protestuesit nuk bëjnë kompromis dhe janë të vendosur në kërkesën e tyre për dorëheqjen e Presidentit.FacebookTwitterEmailMore

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme