PSD-ja hap degën e 15-të në Komunën Kastriot

Prishtinë | 26 Dhj 2018 | 19:51 | Nga Ekonomia Online

Kastrioti është komuna e radhës ku Partia Socialdemokrate ka hapur zyrat, duke vazhduar zgjerimin dhe fuqizimin e mëtejmë.

Para grupit punues dhe mbështetësve në këtë qytet, kryetari Shpend Ahmeti, sekretarja e përgjithshme Aida Dërguti dhe koordinatorja e degës Teuta Berisha, përshëndetën punën e deritanishme për shtrirjen në Kastriot. Ata prezantuan platformën socialdemokrate dhe folën mbi rolin që ka marrë PSD-ja në proceset në të cilat po kalon Republika e Kosovës.

Problemet aktuale të komunës së Kastriotit janë të shumta në numër, kurse angazhimi për zgjidhjen e tyre ka qenë i pamjaftueshëm. Për vite të tëra kjo komunë vuan ndotjen e ajrit, problem madhor që shkakton kontaminimin e tokës, ujit dhe ajrit, e që rezulton me rrezik të madh për shëndetin e qytetarëve.

Sikurse në gjithë vendin, shtrirja jonë edhe në Kastriot ofron mundësi për një alternativë që gërsheton përkushtim, si dhe plan konkret dhe përgjegjësi për zgjidhjen e problemeve.

Duke qenë se mendësia e re qeverisëse do të jetë garancë e politikave barazitare dhe mirëqenies gjithëpërfshirëse, mbështetja për Partinë Socialdemokrate gjithandej vendit është shtegdalja nga gjendja e tanishme kaotike dhe rrugëtimi drejt normalizimit të nesërm.

Sa më i madh angazhimi, aq me i mundshëm dhe më i shpejtë bëhet transformimi shoqëror që i duhet Kastriotit dhe gjithë Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme