PSD për 8 Marsin: Asgjë më shumë se barazi, asgjë më pak se siguri

Prishtinë | 08 Mar 2022 | 18:23 | Nga Ekonomia Online

Gratë duhet të jenë të sigurta dhe të pa cënueshme, ndërsa angazhimi ynë duhet të jetë përtej këtij kriteri. Elementare është edhe mirëqenia, përveç se siguria. Bazik është vendi i punës dhe trashëgimia në pronë, bashkë me sigurinë. Barazi kushte dhe ndërhyrje strukturore, përveç se në siguri. Kemi nevojë të zgjerohemi dhe të avancojmë në pjesët tjera që e mundësojnë sigurinë si gjendje të përhershme. Ndryshimet shoqërore që organizohen rreth barazisë e mundësojnë sigurinë. Zhvillimi i luftës vetëm në terma të sigurisë e shkëpusin dhunën dhe dominimin nga shkaqet që prodhojnë pasigurinë.

Siguria për gratë duhet forcuar me pavarësim substancial dhe fuqizim. Përjetësimi i viktimizimit është mekanizëm desubjektivizues. Shteti ta jep, shteti ta merr. Kjo shtron rrugë për autoritarizëm, si zëvendësim.

Për më tepër, siguria është në regjistrin e mbijetesës, ku zhvillohen si alternativa dhe apetite të forcave politike konzervatore. Në kushte të mungesës së pavarësisë, na ofrohet familja si çati për mbrojtje nga dhuna, e aty dhunë gjejmë, sepse familja është e strukturuar në formën patriarkale të vlerave. Ndërsa institucioni për gruan ka një kriter për njohjen e saj: klikimi në aplikacionin “Qeveria për nënat” dhe kështu përmbyllet me sukses njohja e rolit, forcimi i rendit.

Historia jep mësimin, e sotmja faktin që rruga nuk është përmes koncensusit, por përmes mosmarrëveshjes dhe ballafaqimit. Ndërhyrjet institucionale që disa janë të vonuara, e disa të gabuara, nuk na garantojnë daljen prej normativës ekzistuese. Projekti i përbashkët barazitar, po. Nuk mund të ketë pajtim për thyerjen e moralit dominant, paraprakisht. E vetmja mënyrë është shkelja e tij.

Përderisa njohim dhe festojmë për betejat e fituara të grave gjatë historisë, sot protestojmë dhe angazhohemi për barazi. Pra edhe festojmë edhe protestojmë.

Të ngjashme