Zyrtari i Partisë Socialdemokrate, Dren Kukaj, ka publikuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, lidhur me rastin e Dardan Molliqajt, i cili u arrestua para se të hynte në studion e “Pressing“, ku ishte i ftuar për intervistë.
Sipas Kukajt, ky aktvendim dëshmon se “Policia arrestimin spektakular në hapësirat e televizionit T7 e ka bërë në mungesë të një urdhërarresti”.
“Ky është aktvendimi i shqiptuar mbrëmë nga Gjykata Themelore në Prishtinë kundrejt Dardan Molliqajt. Masën e shqiptuar e vlerësojmë si joproporcional në raport me veprën e dyshuar penale dhe të gjitha rrethanat e këtij rasti, andaj edhe ndaj të njëjtit aktvendim do të parashtrojmë ankesë pranë Gjykatës së Apelit.
Por, ky aktvendim dëshmoi atë që e thamë prej fillimit. Policia arrestimin spektakular në hapësirat e televizionit T7 e ka bërë në mungesë të një urdhërarresti. Për më tepër, Prokuroria ka pranuar një kallëzim penal për këtë vepër një ditë pas arrestimit të tij. Gjithashtu, Gjykata vërtetoi se ftesat e Policisë nuk janë dorëzuar në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale”, ka shkruar Kukaj.