Pse Gjykata Speciale po dërgon ftesa për “fëmijët e luftës”?

Prishtinë | 16 Tet 2019 | 19:43 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Speciale e Gjykatës Speciale në Hagë po dërgon edhe ftesa të çuditshme, ku përveç ish-pjesëtarëve të UÇK-së, po ftohen edhe persona të cilët gjatë luftës kanë qenë fëmijë.

Kështu pati ndodhur edhe me ftesën ndaj zyrtarit të Ministrisë së Drejtësisë, Rilind Berisha i cili u intervistua në Dhomat e Specializuara.

Ndërsa sot, është raportuar në media se Prokuroria Speciale ka dërguar ftesë edhe për ministrin në detyrë të Drejtësisë, Abelard Tahiri, gjë që nuk është pohuar ose mohuar as nga vet Tahiri.

Për të folur rreth këtyre ftesave të çuditshme të Speciales, lajmi.net ka kontaktuar me avokatin e akredituar nga kjo Gjykatë, Vehbi Beqiri.

Beqiri është shprehur se statusi dhe cilësia e të ftuarit duhet të bëhet e ditur nga vet Prokuroria me dërgimin e ftesës.

Avokati Beqiri ka shtuar gjithashtu se personat nën moshën 14 vjeçare nuk mbajnë përgjegjësi penale dhe sipas tij këta persona mund të ftohen në cilësinë e dëshmitarit për informacione që mund t’i kenë gjatë luftës por edhe pas luftës.

“Duke u bazuar në pytjen e juaj, statusi dhe cilësia e të ftuarve do të duhej të bëhej e ditur nga vet Prokuroria Speciale, megjithatë, asnjë person nën moshën 14 vjeçare nuk mbanë përgjegjësi penale. Pra, nuk mund të ftohen në cilësinë e të dyshuarit, por mund të ftohen në cilësinë e dëshmitarit, për ndonjë rrethanë që ata mund të jenë në dijeni gjatë ose pas luftës.”, tha Beqiri.

Pos kësaj, Beqiri është shprehur se të ftuarit nuk janë të obliguar të japin prova dhe gjithashtu duhet të jenë të njoftuar për rëndësinë e deklaratave të tyre.

“Përndryshe, të gjithë e kanë të drejtën e përkrahjes ligjore që gjatë këtyre deklarimeve të dijnë për pasojat e deklarimeve. Në rastin konkret, Dhoma e Gjykatës Kushtetuese ka dhënë sqarim që të ftuarit nuk janë të obliguar të japin prova, por Dhomat e Specializuara duhet t’ia bëjnë të ditur statusin dhe cilësinë e ftesës”, tha Beqiri më tutje.

Gjithashtu, vlen të theksohet fakti se kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës kanë thënë se në fund të këtij muaji mund të ngriten aktakuzat e para.

Sipas Gucatit, tre-katër persona mund edhe të arrestohen gjatë kësaj kohe nga Gjykata Speciale.

“Jemi duke pritur që në fund të këtij muaji të ngritën aktakuzat ose në fillim të nëntorit dhe kjo është reale sepse aktakuzat veç janë në përfundim e sipër me gjasë do të ndodhë që do të ketë edhe arrestime. Për tre-katër persona është duke u folur që do të arrestohen. Kështu që ftesa kanë arritur shumë edhe unë veç e kam paralajmëruar me kohë që muaji shtator-tetor do të jetë muaj i nxehtë për organizatën e veteranëve që do të ftohen shumë veteranë dhe kjo doli e vërtetë sepse kanë arritur shmë ftesa në Kosovë që nga dita e premte”, ka përfunduar Gucati.

Gjykata Speciale ka mandat deri në vitin 2020 ku edhe do të votohet në Kuvendin e Kosovës për vazhdimin ose jo të mandatit të saj.

Të ngjashme