Pse shumica e bizneseve në Kosovë deklarojnë të hyra vjetore deri në 30 mijë euro?

Prishtinë | 25 Gus 2023 | 12:47 | Nga Ekonomia Online

Ndër arsyet pse shumë biznese qëndrojnë nën pragun 30 mijë euro dalin të jenë: zhvillimi i një pjese të aktiviteteve në joformalitet, mundësia më e ulët e inspektimit nga ATK, shpenzime më të ulëta për të deklaruar, pagesa e një norme më të ulët efektive të tatimit, etj.

Blendi Hasaj, drejtor i Institutit GAP, në një status të tij të bërë publik në Facebook ka paraqitur të dhëna dhe ecuri interesante të deklarimit të të hyrave në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) nga bizneset në Kosovë.

Më poshtë lexoni të plotë tekstin me të dhënat e Hasajt:

Në vitin 2022, nga të gjitha bizneset (këtu nuk përfshihën shoqëritë aksionare) që kanë deklaruar të hyra në Adimistratën Tatimore të Kosovës (ATK), mbi 56 mijë apo 77% kanë deklaruar të hyra vjetore deri në 30 mijë euro. Numri i bizneseve që deklarojnë mbi këtë prag është ndjeshëm më i ulët. Po ashtu, një numër i madh i bizneseve kanë deklaruar qarkullim vjetor prej zero euro (32.8%). Sipas Ligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave, bizneset me të ardhura vjetore bruto deri në 30 mijë euro në Kosovë (tek bizneset që paguajnë tatim sipas Ligjit për të ardhurat personale ky kufi ka mbetur deri në 50 mijë euro), tatimohen me norma prej 3% (tregti) dhe 9% (shërbime), dhe të njëjtat nuk mbajnë libra dhe nuk regjistrohen për qëllime të TVSH-së. Ndër arsyet pse shumë biznese qëndrojnë nën pragun 30 mijë euro dalin të jenë: zhvillimi i një pjese të aktiviteteve në joformalitet, mundësia më e ulët e inspektimit nga ATK, shpenzime më të ulëta për të deklaruar, pagesa e një norme më të ulët efektive të tatimit, etj. Numri më i madh i bizneseve që deklarojnë deri në 30 mijë euro janë ato nga sektorët e tregtisë, prodhimit, akomodimit, ndërtimit, etj. 

Të ngjashme