Punëtorët e sigurimit fizik e gjuajnë KEK-un me vezë – “Ne nuk jemi të privatizuar, jemi të huazuar”

Prishtinë | 28 Gus 2023 | 10:52 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Punëtorët e sigurimit fizik në Korporatën Energjetike të Kosovës kanë protestuar të hënën para objektit të KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Kërkesë e tyre ishte rikthimi si punëtorë të KEK-ut dhe jo të tenderohen vazhdimisht në sektorin privat.

Si shenjë pakënaqësie ata hodhën edhe vezë para zyrave të KEK-ut në kryeqytet.

Nexhat Murati, kryetari i Shoqatës Sindikale të Sigurimit Fizik në KEK, tha se Qeveria u kishte premtuar, akoma pa ardhur në pushtet, se “kjo padrejtësi do të merrte fund”, por se kanë kaluar tri vjet e një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Ne jemi një departament i huazuar që nga 2004 deri në 2006, ku në 2006 formuam një sindikatë ku i kërkuam të drejtat tona në KEK dhe në Qeveri. Në atë kohë e kërcënuan kryetarin e sindikatës edhe me armë zjarri në vendin e tij dhe punëdhënësit i larguan nga puna dhe u shua ai aktivitet”.

“Kjo qeveri akoma pa ardhur në pushtet na premtoi që kjo padrejtësi do të marrë fund për tri javë dhe se do të kthehen këta punëtorë në kuadër të KEK-ut, por tash po bëhen tri vite, tri vite janë shumë të mëdha që të punohet me tenderë të paligjshëm”.

Ai tha se ndonëse as qeveritë e tjera nuk kanë marrë masa për rastin në fjalë, kjo qeveri as që po e merr mundin të ju përgjigjet madje, e cila para medieve kishte deklarata shumë bindëse.

“Unë nuk po e kuptoj as këtë qeveri, nuk po e kuptoj kur na thoshte se kjo është padrejtësi kur fliste para mediave dhe jepte deklarata shumë bindëse, por tani ne kërkojmë një takim urgjent me kryeministrin e vendit, ku do të ja shpjegojmë gjërat edhe më në detaje nëse nuk i di, mirëpo me të vërtetë unë po çuditem sepse ai është i informuar shumë mirë, sepse e kemi diku më së paku 30 emaile zyrtare të cilat ua kemi dërguar dhe për çështjen e sigurimit fizik është i njoftuar shumë mirë”. 

“Është i njoftuar KEK-u, është e njoftuar ministria, janë të njoftuar të gjithë, ne kemi bërë protesta diku të paktën 180 herë deri më tani por pa rezultate sepse oligarkët duan të pasurohen në krah tonin, dhe disa persona në KEK, prokura, zyra ligjore, menaxhmenti i KEK-ut dhe bordi nuk janë askund. Ne e kemi hedhur këtë rast në gjykatë, rastin e parë e kemi festuar, me ndërhyrjen e politikës”, tha Murati, raporton EO.

Nexhat Llumnica nga Sindikata e Re e KEK-ut tha se KEK, si aset me rëndësi të veçantë, meriton të ketë sigurimin e vetë dhe jo sigurim të privatit dhe se pas huazimit të vitit 2004, në vitin 2007 janë tenderuar jashtëligjshëm e nuk është marrë asnjë hap nga Korporata Energjetike e Kosovës, pas shkëputjes së kontratave.

“E di që këta punëtorë janë lodhur për shkak se është bërë një padrejtësi në vitin 2004, atëherë kur janë huazuar, pas këtij huazimi që ka qenë dy vite plus një në vitin 2007 janë tenderuar jashtëligjshëm dhe nuk kanë marrë asnjë aksion nga Korporata Energjetike e Kosovës, nuk janë shkëputur kontratat me Korporatën Energjetike të Kosovës, pra ky departament padrejtësisht është tenderuar deri më tani, dje në kohën e kësaj qeverie që ishte në opozitë kam thënë që me të vërtetë janë duke u tenderuar paligjshëm dhe se ju e keni vendin në KEK, kemi diskutuar shumë herë, ku është paraparë që KEK-u, Korporata Energjetike e Kosovës, si aset me rëndësi të veçantë meriton të ketë sigurimin e vetë, jo me sigurim të privatit, dihet dhe kuptohet sa e rëndësishme në krizën energjike globale që ishte, ishte Korporata Energjetike e Kosovës që e furnizoi me energji elektrike qytetarin”, tha Llumnica.

Të ngjashme