Pushimet në bregdetin shqiptar, kryetari i Shoqatës së Hotelierëve: Ka rënie drastike të vizitorëve dhe shërbimeve

Prishtinë | 12 Gus 2020 | 18:47 | Nga Ekonomia Online

Siç ishte paralajmëruar, sektori i turizmit në Shqipëri po përballet me vështirësi serioze gjatë sezonit veror, të krijuara nga efektet negative që ka shkaktuar pandemia COVID-19.

Sipas kryetarit të Shoqatës së Hotelierëve, Zak Topuzi, këtë vit ka shumë më pak turistë dhe rrjedhimisht më pak hotele të hapura dhe biznese të tjera të mikpritjes.

“Po flasim për një industri e cila për shumë arsye po punon me kapacitete të reduktuara, po punon me një numër hotelesh të kufizuar, kryesisht vija e parë është e mbushur dhe po prenotohet. Kemi një numër të kufizuar turistësh që vijnë në Shqipëri dhe që banojnë në Evropë, Angli apo Amerikë dhe vijnë kryesisht për çështje dokumentacioni”, tha ai.

Ai vëren se turizmi është reduktuar kryesisht fundjavave, duke parashikuar ecuri edhe më pesimiste për pjesën e mbetur të vitit.

“Pas shtatorit do të jetë një periudhë e vështirë për turizmin, jo vetëm për Shqipërinë, por besoj për të gjithë Evropën”, shton ai.

Sa u përket kategorive të turistëve që po e vizitojnë Shqipërinë në pikun e këtij sezoni, kreu i Shoqatës së Hotelierëve pohon se janë kryesisht kosovarët dhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

Ndërsa të huajt që kanë ardhur me “charter” këtë vit, sipas tij përbëjnë vetëm 2% të totalit, kur vjet ata arrinin deri në shifra prej 300-400 mijë të tillë.

Por, sipas Topuzit, ka edhe një fakt pozitiv që vlen të përmendet nga ky sezon turistik.

Që për shkak të kufizimeve të lëvizjeve jashtë vendit, shqiptarët kanë pasur më shumë shanse të zbulojnë vendin e tyre.

“Kjo pandemi ka krijuar një gamë të gjerë shërbimesh dhe njerëzit po lëvizin në mënyrë standarde, si në bregdet dhe në mal e kjo ndoshta është një nga gjërat më të mira, se shqiptarët po njohin këtë verë Shqipërinë, vendin e tyre”, theksoi z. Zak Topuzi.

Të ngjashme