Mbretëria Dardane për herë të parë ishte përmendur në shkrimet e historianit romak Justin (Marcus Junianus Justinus), i cili përshkruan kohën kur atë e kishte pushtuar Filipi II i Maqedonisë (359-336 p.e.s), por me gjithë këtë fakt mendohet se paraardhësit e dardanëve jetonin në Ballkan që nga shekujt XIII-XII p.e.s., ndërsa zbulimet arkeologjike dëshmojnë se një lloj shteti dardan në nivel të caktuar organizimi kishte ekzistuar qysh kah fundi i shekullit VI para erës sonë.
Pas vrasjes së Filipit në vitin 336 para erës sonë edhe dardanët si edhe mjaft fise të tjera ishin ngritur në kryengritje dhe kishin arritur të çlirohen nga pushteti maqedonas, shkruan sot Naser Ferri në Koha Ditore.
Se sa ishin forcuar dardanët pas çlirimit nga Maqedonia flet edhe fakti që mbreti dardan Monuni në vitin 279 para erës sonë, i kishte ofruar mbretit maqedonas Ptolemaios Keraunos (318-279 para erës sonë) 20.000 ushtarë si ndihmë për luftë kundër rrezikut të përbashkët, respektivisht kundër invadimit të keltëve, por i njëjti e kishte refuzuar ndihmën e ofruar, kishte pësuar disfatë dhe ishte vrarë në betejë.