Presidenti rus, Vladimir Putin ka paralajmëruar se tërheqja e Uashingtonit nga Traktati për Armët Bërthamore, i nënshkruar dekada më parë, mund të nxisë “garë armësh” dhe se Kremlini do të paraqesë vendimin amerikan para Kombeve të Bashkuara për një votim simbolik.
Duke iu përgjigjur vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për t’u tërhequr nga Pakti i vitit 1987 për Raketat me Rreze të Mesme Veprimi, Putin, ka thënë më 24 tetor se, Shtetet e Bashkuara tashmë kanë braktisur Traktatin për Raketa Anti-Balistike më 2002 dhe nuk kanë treguar gatishmëri për të diskutuar vazhdimin e një Traktati të ri bërthamor, afati i së cilës skadon më 2021.
“Nëse gjithçka shpërbëhet, atëherë nuk mbetet asgjë për të diskutuar rreth kufizimit të rritjes së armëve”, ka thënë Putin në një konferencë për media në Moskë, pasi ka takuar kryeministrin italian, Giuseppe Conte.
“Dhe më pas situata do të jetë, sipas pikëpamjes sime, jashtëzakonisht e rrezikshme. E gjitha çka mbetet është gara me armë”.
Trump në anën tjetër ka thënë se do të largojë SHBA-në nga Traktati sepse Rusia e ka shkelur atë nga viti 2014 dhe sepse Kina nuk është e përfshirë në të, andaj ka zhvilluar armë, të cilat Uashingtoni dhe Moska e kanë pasur të pamundur për shkak të paktit.
Putin ka thënë se dëshiron të diskutojë këtë çështje me Trumpin më 11 nëntor në Paris, pasi të dy liderët do të jenë pjesë e ceremonisë së shënimit të 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
“Ne jemi të gatshëm të punojmë me partnerët tanë amerikanë pa ndonjë histeri”, ka thënë ai.