Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Qëndrim Kryeziu, ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Përmes një postimi në Facebook ka shpalosur rrugëtimin e tij jetësor dhe profesional, si dhe zotimet politike.
Kryeziu, i cili në listën e PDK-së mban numrin 103, ndërsa subjekti politik numrin 130, ka theksuar se përkundër pamundësisë për t’i kontaktuar personalisht të gjithë qytetarët gjatë fushatës, angazhimi i tij do të jetë maksimal në shërbim të vendit.
“Kërkoj nga ju mirëkuptim dhe falje të sinqertë që e kam të pamundur të kontaktoj me të gjithë ju pa përjashtim në këtë fushatë elektorale. Kësaj beteje dhe sfide jetësore i kam hyrë me besim, përkushtim dhe angazhim maksimal në shërbim të atdheut dhe tuajin”, ka deklaruar Kryeziu.
Ai ka kujtuar lidhjen e fortë me diasporën, duke bërë të ditur se mbi 80 për qind e familjes së tij jeton jashtë vendit që nga vitet ’60, por se asnjëherë nuk e ka konsideruar largimin nga Kosova si opsion personal.
“Kam pasur shumë herë rastin që edhe vetë të largohem nga vendi i të parëve tanë. Por kurrë nuk e kam imagjinuar këtë opsion, e as nuk do ta mendoj”, ka theksuar ai.
Kryeziu ka folur edhe për rrugëtimin e tij në biznes, duke nisur punën që në moshë të hershme dhe duke u shndërruar në sipërmarrës të suksesshëm.
“Në moshën 11-vjeçare e nisa rrugën e pavarësisë personale duke servisuar telefona, ndërsa më pas u bëra nismëtar i hapjes së kompanisë së internetit, e cila sot i numëron deri në 80 punëtorë dhe ka shtrirje gjithandej Kosovës”, ka thënë ai, duke shtuar se rrjeti i bizneseve të tij tashmë është shtrirë edhe në gjashtë shtete evropiane.
Sipas Kryeziut, rruga deri këtu nuk ka qenë e lehtë, por përkushtimi dhe puna e vazhdueshme kanë qenë çelësi i suksesit.
“Zelli, energjia dhe përkushtimi më kanë mësuar se nuk ka sfidë që nuk tejkalohet”, është shprehur ai.
Kandidati për deputet ka dhënë edhe zotimin e tij politik, duke theksuar se ligji do të jetë udhërrëfyesi i vetëm i veprimit të tij nëse zgjidhet deputet.
“Si deputet i Kuvendit të Kosovës zotohem para jush se ligji dhe asgjë tjetër do të jetë kodi i vetëm i sjelljes sime politike. Kërkoj mbështetjen nga ju që të shndërrohem në zërin e çdo biznesi dhe punëtori në Kosovë”, ka deklaruar Kryeziu.
Ai ka përmbyllur thirrjen e tij duke ftuar qytetarët që në zgjedhjet e 28 dhjetorit ta votojnë PDK-në me numrin 130 dhe kandidatin Qëndrim Kryeziu me numrin 103.