QKSS: Kosova në rrezik nga ndërhyrja ruse

Prishtinë | 03 Nën 2017 | 11:01 | Nga

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka publikuar një raport rreth ndërhyrjes ruse në Kosovë dhe në raport konstatohet se Kosova është shumë e ekspozuar ndaj ndikimit rus në rritje

Sipas hulumtimit Kosova është e ekspozuar ndaj një fushate të gjerë ndikimi në rritje të ndërhyrjes ruse kundër modelit të shtet-ndërtimit perëndimor dhe vlerave të tij demokratike, veçanërisht që nga viti 2008.

“Shumë instrumente subversive dhe jo-ushtarake do të vazhdojnë të përdoren kundër karakterit multietnik të Kosovës, me qëllim që të krijohen pretekste për një shtet të dështuar si dhe të rritet separatizmi lokal brenda komunitetit serb në komunat veriore”, thuhet, pos tjerash, në raport.

“Sanksionet ndaj Rusisë nuk kanë rezultuar të jenë efektive pasi që subjektet ekonomike ruse të sanksionuara por prezentë në Serbi dhe rajon, kryesisht duke përfshirë produktet e naftës, vazhdojnë të funksionojnë ende në tregun e Kosovës”.

QKSS gjithashtu konstaton se Bashkimi Europian nuk e ka trajtuar Kosovën në mënyrë të barabartë si vendet tjera të Ballkanit Perëndimor në procesin e harmonizimit dhe vendosjes së sanksioneve ndaj subjekteve ekonomike dhe autoriteteve politike të Federatës Ruse.

“Po ashtu, gjatë periudhës Janar-Korrik 2017, niveli i mallrave ruse të importuara në Kosovë tejkalon shumën prej 10 milionë euro, ndërsa shifrat e eksportit të Kosovës drejt Rusisë mbeten zero”.

“Kurse më shumë se 1000 qytetarë rusë vizitojnë Kosovën çdo vit, ndërsa qytetarët e Kosovës nuk mund të udhëtojnë në Rusi për shkak të refuzimit të menjëhershëm të pasaportave”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme