QKUK fitimin më të madh e ka prej parkingjeve

Prishtinë | 14 Qer 2017 | 16:16 | Nga

Parkingjet dhe participimi i pacientëve janë burimet kryesore të të hyrave vetanake për QKUK-në. Spitali ka mbyllur këto ditë hyrjen lindore (prapa klinikës së gjinekologjisë) në mënyrë që oborri i QKUK-së të mos shfrytëzohet si parking apo edhe për transit të veturave që nuk kanë ndonjë punë në spital, raporton rtklive.com

Dy pengesa të mëdha prej betoni janë vendosur në hyrjen lindore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, prapa Klinikës Gjinekologjike. Udhëheqës spitalorë thonë se këtë e kanë bërë për të parandaluar kalimin transit të taksive dhe veturave tjera.

Mehdi Krasniqi, Drejtor i Shërbimeve Teknike në QKUK ka treguar se një pjesë e banorëve të Lagjes së Spitalit e shfrytëzonin hyrjen prapa gjinekologjisë për të parkuar veturat e tyre në oborrin e spitalit, apo për të kaluar transit përmes oborrit të spitalit.

“Atje laura ka qenë e vendosur asisoj që nuk ka penguar njërën hyrje dhe ajo shfrytëzohej nga banorët dhe disa kompani të taksive për t’u futur në oborr të spitalit pa kryer fare pagesën. Andaj kemi vendosur ta mbyllim hyrjen aty derisa të digjitalizohet sistemi i pagesës së parkingjeve”, ka thënë Mehdi Krasniqi, drejtor i Shërbimeve Teknike.

QKUK përfiton rreth 13 mijë euro në muaj nga parkingjet

Ai është shprehur se kjo ka liruar në masë qarkullimin në oborrin e spitalit, pasi oborri i spitalit shfrytëzohej si transit për kalim edhe të personave që nuk kishin as edhe një punë në QKUK.

Krasniqi ka thënë se për mbylljen e kësaj hyrjeje janë interesuar edhe inspektorët komunalë. Mirëpo, ata i kanë dhënë drejt spitalit që të vendosë në lidhje me menaxhimin e hyrje-daljeve.

“Ne këtë vendim e kemi marrë derisa laurat të digjitalizohen”, ka thënë Krasniqi, i cili potencon se tashmë në atë pjesë nuk parkohen veturat e banorëve të lagjes së spitalit.

Por, janë pikërisht laurat një nga burimet kryesore të të hyrave për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Madje, ky shërbim ishte dhënë me konsesion vite më parë një kompanie private, e cila kishte marrë mjetet nga parkungu i veturave në QKUK por që për këtë kishte ndërtuar disa hektarë parkingje.

“Është më e lavërdishme për QKUK-në që të gjeneroj vet të hyra nga laurat”, ka thënë Sherif Bytyqi, shef i financave në Qendrën Klinike Universitare, i pyetur se pse të njejtat nuk janë konsesionuar sërish.

Ai ka treguar se vetëm nga parkingjet QKUK gjeneron 12000 deri në 13000 euro në muaj. Këto mjete, ka thënë Bytyqi, shfrytëzohen për pagesën e shujtës prej 44 eurosh, që i dedikohet gjithsecilit punonjës shëndetësor të QKUK-së.

QKUK: 1.2 milionë euro të hyra vetanake në vit

Por, Sherif Bytyqi, udhëheqës financiar në QKUK ka treguar se parkingjet janë vetëm një nga burimet e të hyrave vetanake të QKUK-së. Spitali më i madh në vend gjeneron të hyra edhe nga participimi i pacientëve. “Të hyrat vjetore nga participimi janë diku rreth 1.2 milionë euro”, ka thënë Bytyqi.

Ai është shprehur se megjithatë këto mjete nuk u mjaftojnë për të paguar gjitha shujtat e punonjësve shëndetësorë. “Kjo pasi për shujta brenda vitit shpenzojmë mesatarisht 1.7 milionë euro”, ka thënë Bytyqi.

Për rreth gjysmë milioni euro tjera, ai ka thënë se sigurohen nga linja tjera buxhetore të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme