Konsumatorët shqiptarë shpenzojnë pothuajse gjysmën e parave që kanë në dispozicion për t’u ushqyer.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2019, rreth 41.1 për qind e shpenzimeve shkuan për ushqime. Kjo peshë është më e larta në rajon dhe në Evropë dhe është një tregues direkt i të ardhurave të ulëta dhe i çmimeve relativisht të larta. Kosova shpenzon 34 për qind për ushqime, Maqedonia e Veriut 33 për qind, Bosnja e Hercegoina 29 për qind, Mali i Zi 23.5 për qind, Serbia 23.6 për qind.
Eurostat ka publikuar së fundmi edhe të dhënat e reja për strukturën e shpenzimeve për familjarët për vitin 2019. Ndryshe nga rajoni, familjet evropiane shpenzojnë më pak për t’u ushqyer. Për vitin 2019, kjo peshë është 13 për qind, ndonëse në rritje me 1 pikë përqindje në krahasim me vitin e mëparshëm. Shteti evropian që shpenzon më shumë për ushqime është Rumania me 26 për qind dhe më pak Mbretëria e Bashkuar me vetëm 8 për qind.
Buxhetin më të madh familjet evropiane e kanë për shpenzime për banesën, ujë, energji elektrike, qira të paguar me 23.5 për qind të totalit, përkundrejt 10.1 për qind në Shqipëri.
Duke shpenzuar më pak për ushqime, familjeve në Evropë u mbeten më shumë të ardhura për t’u argëtuar dhe për të udhëtuar. Evropianët shpenzojnë më shumë për t’u argëtuar dhe kulturë me 8.7 për qind të totalit, përkundrejt 3.8 për qind në Shqipëri, edhe për transport Evropa shpenzon 13 për qind të buxhetit, ndërsa Shqipëria më pak sesa 6 për qind. Edhe për restorante raporti është 8.7 për qind për Evropën dhe 4.9 për qind për Shqipërinë.
Por, nëse ka një shpenzim për të cilin shqiptarët nuk kursehen ato janë veshjet me 5.2 për qind të totalit, përkundrejt 4.6 për qind të mesatares evropiane. Shteti që shpenzon më shumë për veshje është Rumania me 6.8 për qind e totalit, i ndjekur nga Estonia me 6.3 për qind, Italia me 5.9 për qind dhe më pak Islanda me 3.3 për qind.
Për shëndet, shpenzimet janë pothuajse të ngjashme, pra 4.3 për qind dhe 4.4 për qind, ndërkohë që një vit më parë ishin shqiptarët ata që shpenzonin më shumë për shëndet, por në 2019-në, kjo kategori është rritur dhe për evropianët.
Arsimi u kushton shumë më shtrenjtë shqiptarëve se evropianëve. Një familjeje i duhet të shpenzojë 3.1 për qind të totalit për të arsimuar fëmijët, ndërsa për një familje evropiane, kjo peshë është më pak se 1 për qind.
Edhe për komunikim, shqiptarët shpenzojnë më shumë pra 3.7 për qind kundrejt 2.4 për qind.