Qytetarët kërkojnë seriozitet për 10-vjetorin e Pavarësisë

Prishtinë | 14 Jan 2018 | 12:44 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Logoja e parë e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës u anulua, por telashet me origjinalitet duket se po vazhdojnë ende. Pasi logoja e parë ishte kopjuar nga një agjenci turistike në Gjermani, logoja e dytë duket të ketë ngjashmëri me logon e Bashkimit Demokratik për Integrim të publikuar për Kongresin Tematik.

Në një bisedë me Ekonomia Online disa qytetarë kanë kërkuar më shumë seriozitet dhe origjinalitet në krijimin e simboleve të cilat përfaqësojnë Kosovën.

E disa theksuan se Kosova ka probleme shumë më të mëdha se kjo logo.

Naim Lahu kërkoi nga institucionet që hartuesi i logos të përzgjidhet në bazë të disa kritereve në mënyrë që logoja të jetë origjinale.

“Është mirë që është ndërru, sepse realisht logo e parë ishte një logo që ngjake me një logo të Gjermanisë, por un kisha kërkuar nga Institucionet ti qesin disa kritere edhe kur të bëhet përzgjedhja të hulumtohet mos t’i përngjajë logo e shtetit, për arsye se na që 10 vjet jena shtet edhe me marr një plagjiaturë nuk është në rregull”,tha ai.

Hysë Krasniqi tha se duhet të gjendet një zgjidhje tjetër dhe jo të imitohet.

“Imitimet s’i pëlqej, falsifikat senet, origjinaliteti është në pyetje. Le të gjejnë një rrugëzgjidhje tjetër jo të imitojnë, sepse ka firma ta ngjashme në Gjermani”, tha ai.

Ndërkaq Driton Demolli tha se logoja duhet të ndërrohet, edhe pse sipas tij nuk ka mbetur shumë kohë.

“Kjo logoja e parë doli që është e kopjume edhe e dyta po del ashtu. Tash po presim ndoshta e ndërrojnë e qesin një të re edhe pse s’ka kohë aq. Për mendimin tim duhet me u ndërru me bë një më origjinale, që s’e ka askush për 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës”, tha ai.

Ndryshe nga këta qytetarë, Dardan Berisha tha se Kosova ka probleme më të mëdha se kjo logo.

“Po më duket që është bë shumë e madhe lidhur me atë logo a është plagjiaturë apo jo. Por unë mendoj që pak ka rëndësi logoja. Kemi shumë më shumë probleme që duhet me ju ndejt gati edhe me u marrë më to sesa një logo e një viti jubilar”.

“Më shume ishte dashur me u koncentru çka pas 10 viteve, çka kemi me bë, e shumë pak rëndësi ka logo”, u shpreh ai.

Gjatë ditës së djeshme Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u ka bërë thirrje qytetarëve që edhe ata të propozojnë personalitete të ndryshme me Medaljen Presidenciale Jubilare për Dhjetëvjetorin e Pavarësisë.

 

Të ngjashme