Rahoveci nderon veprën dhe kontributin e Ramadan Ramës, vlerësohet trashëgimia e tij në shërbim të qytetarëve

Prishtinë | 21 Kor 2026 | 11:49 | Nga Ekonomia Online

Nën organizimin e Komunës së Rahovecit, është mbajtur mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së ish-drejtorit të Qendrës për Punë Sociale , Ramadan Rama. Familjarë, bashkëpunëtorë, përfaqësues institucionesh, miq dhe qytetarë u mblodhën për të kujtuar kontributin e tij shumëvjeçar në fushën e punës sociale dhe humanitare, duke e vlerësuar si një figurë të përkushtuar që jetën ia kushtoi shërbimit ndaj njerëzve në nevojë, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se Ramadan Rama do të kujtohet si një njeri që punën sociale e kishte mision jetësor dhe që la gjurmë të pashlyeshme në jetën e shumë qytetarëve.

“Sot jemi mbledhur për të nderuar kujtimin e një njeriu që ia kushtoi jetën në shërbim ndaj të tjerëve. Ndarja nga jeta e bacës Ramadan Rama na ka pikëlluar të gjithëve, sepse ishte një personalitet që për dekada me radhë ishte pranë njerëzve në çastet kur ata kishin më së shumti nevojë për mbështetje, për mirëkuptim dhe për shpresë. E kam pasur fatin ta njoh nga afër. E kam pasur mik, bashkëpunëtor dhe një njeri te i cili jam mbështetur herë pas here, posaçërisht në kushtet e çështjeve sociale. Në çdo takim me të dëgjoja një mendim të urtë, një këshillë të sinqertë dhe një vlerësim të madh. Ishte njeri i përkushtuar, i mençur dhe me një ndjenjë të rrallë përgjegjësie ndaj njerëzve dhe shoqërisë. Ka profesione që ushtrohen si detyrë dhe ka profesione që shndërrohen në mision. Për Ramadan Ramën, puna sociale ishte mision.

Në vitin 1978, ai themeloi Qendrën për Punë Sociale në Rahovec, duke vënë themelet e një institucioni që për shumë qytetarë u bë vendi ku njerëzit gjenin mbështetje, këshillë dhe shpresë. Për rreth 30 vjet, ai e udhëhoqi këtë institucion me profesionalizëm, me përgjegjësi dhe mbi të gjitha me ndjenjë të lartë njerëzore. Njerëzit e kujtojnë si njeriun që i dëgjoi me durim, që u hapi derën kur nuk dinin ku të trokisnin, që u dha kurajë kur ndiheshin të vetmuar dhe që u gjend pranë kur jeta i kishte vënë përballë sprova të rënda. Kjo është arsyeja pse emri i tij gëzon respekt të veçantë në Rahovec e më gjerë”, tha ai.

“Si një ndër defektologët e parë dhe më të përkushtuar në Kosovë, ai ishte zëri i shumë atyre që kishin nevojë për mbështetje. Edhe pas pensionimit, ai nuk u shkëput nga misioni i tij human. Përmes Shoqatës së Humanitetit, vazhdoi të ndihmojë qytetarët dhe të japë kontributin e tij në shërbim të mirëqenies së përgjithshme. Kjo dëshmon më së miri se për Ramadan Ramën, humanizmi ishte mënyrë jetese.

Të nderuar pjesëmarrës, sot kur kujtojmë jetën e tij, kujtojmë njeriun e respektuar dhe të dashur për qytetarët. Kujtojmë një personalitet që punoi pa bujë, por me rezultate që prekën jetën e shumë njerëzve. Trashëgimia e tij matet me besimin, me respektin dhe me mirënjohjen që la tek brezat e këtij qyteti.

Në emër të Komunës së Rahovecit dhe në emrin tim personal, i shpreh mirënjohjen më të thellë për gjithçka që dha zoti Ramadan Rama — që u dha qytetarëve tanë dhe institucioneve tona”, tha Latifi.

Humanisti Halil Kastrati tha se nga Ramadan Rama kishte mësuar shumë për humanizmin dhe përkushtimin ndaj kategorive në nevojë.

“Në minutat që i kemi kaluar bashkë me bacën Ramadan, kam mësuar shumë nga përvoja e tij në shërbim të hoxhallarëve. Jam munduar me e kopjuar në disa gjëra dhe shpresoj që, ashtu siç e thashë në fjalimin tim, të jetë i dashur tek Zoti, sepse ka qenë i dashur te kategoria më e nevojshme e popullit tonë. Bacën Ramadan Zoti e shpërbleftë me xhenetin e Zotit! Ndërsa familjes i ngushëlloj—Zoti sabrin ua dhashtë! Inshallah na gëzon Zoti përsëri me u takuar bashkë me atë”, tha Kastrati.

Miku dhe bashkëstuduesi i të ndjerit, Tumor Xerxa, kujtoi rrugëtimin e përbashkët akademik dhe profesional të Ramadan Ramës, duke vlerësuar përkushtimin e tij për t’u kthyer dhe shërbyer në Kosovë.

“Para 66 viteve kemi qenë në bankat e gjimnazit të Prizrenit. Pas mbarimit të gjimnazit, shkuam në Slloveni, në Universitetin e Lubjanës. Në atë kohë në Kosovë nuk kishte fakultete, viti 1964.

Ramadani regjistroi Fakultetin e Defektologjisë dhe me sukses diplomoi. Pas diplomimit, profesorët i sugjeruan të punojë në Lubjanë. Në atë kohë nuk kishte as Sllovenia defektolog. Ai punoi dy vite në Slloveni, pastaj u kthye në Kosovë. Edhe pse nuk është fizikisht mes nesh, kujtimi, mirësia dhe vlerat njerëzore do të jenë gjithmonë në zemrat tona.

Dhe një herë i shprehim ngushëllime familjes. Lamtumirë shoku im Ramadan, do të të kujtojmë me respekt dhe mall. Qoftë i përhershëm kujtimi për ty! U prehsh në paqe!”, tha ai.

Në emër të familjes, djali i të ndjerit, Fidan Rama, shprehu krenarinë për trashëgiminë që la babai i tij dhe bëri të ditur se së shpejti do të themelohet Fondacioni “Ramadan Rama”, i cili do të vazhdojë misionin e tij në mbështetje të kategorive në nevojë.

“Ndihem jashtëzakonisht krenar që kisha mundësi që si fëmija i katërt në familje të rritem, të zhvillohem e të edukohem nga një personalitet siç ka qenë babi. Jo rastësisht edhe nga parafolësit u dhanë shumë gjëra për rrugëtimin e tij, i cili pothuajse tërë jetën ishte në shërbim të të tjerëve në përgjithësi, e veçanërisht për ata që kishin më së shumti nevojë. Kemi pasur shumë momente me babin, me shumë kujtime. Sa më i sigurt jam që duhet ndoshta me ditët tona apo me fjalët e me shprehjet, por për babin e figurën e tij, më së miri këto ditë kanë folur shumë prej atyre që ishin në ceremoninë pamore, shumë që na kanë shkruar, shumë që na kanë telefonuar, e shumë të tjerë të cilët po vazhdojnë të na shkruajnë e të na vizitojnë. Në kohën kur shëndeti i tij filloi të godasë, në takimet tona të përhershme që i kishim, atëherë çka vazhdimisht më fliste babi ishte ndihma që duhet vazhduar t’ia japim kësaj kategorie në vazhdimësi. Sepse ishte i tillë dhe natyra e tij, përkundër moshës e shëndetit të tij, asnjëherë nuk dorëzohej dhe në vazhdimësi insistonte se mund ta vazhdojë angazhimin për t’i ndihmuar të tjerët. Pothuajse në secilin takim të fundit që i kishim, ka filluar me e ndier veten të lodhur dhe filloi me kuptuar që nuk mund ta ketë 100%-shin në shërbim të kësaj që i duhej. Dhe filloi të më kërkojë mua që personalisht të bëj diçka për këtë kategori. Prej atij momenti kam filluar me menduar se çka mund të bëj unë personalisht që me ndjekë rrugën e babit apo me e ndihmuar atë në këtë drejtim. Pastaj rrugës e kam konceptuar një ide me të cilën po dua me e ndarë bashkë kështu me ju këtu në këtë ceremoni. Të vërtetën babit nuk ia kam thënë asnjëherë, sepse nuk jam pajtuar me idenë që ai nuk do të jetë sot me ju, kështu që e kam ruajtur për këto momente dhe po dua me e ndarë me juve sot: Unë së shpejti do të filloj procedurat për themelimin e një fondacioni që do ta mbajë emrin e babit, Ramadan Rama, i cili do t’i dedikohet pikërisht kategorive që babi u mundua aq shumë t’i ndihmojë. Pra, Fondacioni “Ramadan Rama” do të ketë pikërisht këtë qasje, do të ketë këtë mision: vazhdimin e rrugës që e ka ndjekur babai im”, tha Rama.

Të ngjashme