Rahoveci s’ka buxhet për të kompensuar dëmet nga reshjet, i kërkon ndihmë Qeverisë

Rahovec | 18 Qer 2018 | 14:08 | Nga

Në kryesimin e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Rahovecit, Afrim Dina dhe në prani të kryetarit të Komunës, Smajl Latifi, sot është mbajtur mbledhja emergjente për shkak të gjendjes emergjente të krijuar nga reshjet e shiut dhe breshëri.

Sipas një komunikate për medie nga komuna e Rahovecit, kryetari i komunës, Smajl Latifi, tha se disa nga fshatrat e Komunës së Rahovecit përfshirë edhe një pjesë të qytetit të Rahovecit janë përfshirë nga vërshimet të cilat kanë ardhur si pasojë e shiut të rrëmbyeshëm dhe breshëri i cili ka rënë me 14 Qershor, transmeton Ekonomia Online.

Latifi tha se dëmet janë duke u vlerësuar por sipas tij ato mund të jenë të mëdha dhe se me buxhetin aktual komuna nuk ka mundësi të bëjë kompensimit. Ai bëri të ditur se do të kërkojnë mbështetje nga Qeveria.

“Ju njoftoj se asnjë qytetar nuk ka kërkuar ndihmën e mjekut edhe pse për këtë kemi qenë të përgatitur por fatmirësisht nuk ka pasur nevojë të intervenohet në asnjë rast. Kurse tek dëmet të cilat janë shkaktuar nga shiu, breshëri dhe vërshimet do të mësojmë në ditët në vazhdim pasi që unë kam formuar tri komisione të cilët do të bëjnë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në bujqësi, infrastrukturë dhe në amvisëri familjare. Demet e shkaktuara në këto sektor sigurisht që kapin një vlerë të madhe dhe se me buxhetin që kemi si komunë, nuk kemi mundësi që ti bëjmë kompensimin, por ne do të kërkojmë mbështetje nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe besojmë se mbështetjeje do të marrim”, ka thënë Latifi.

Anëtarët e kuvendit, kërkuan që shtretërit e lumenjve të pastrohen me kohë apo edhe të thellohen, poashtu të pastrohen me kohë proçkat të cilat kalojnë nëpër disa fshatra,  pasi që sa herë ka reshje të mëdha të shiut, lumenjtë dhe proçkat dalin nga shtretërit e tyre dhe më pas po ka vërshime si në bujqësi, infrastrukturë dhe në amvisëri. Duke e ditur mundësin e vogël buxhetore të cilën e ka Komuna e Rahovecit, ata  kërkuan që të kërkohet mbështetje nga ministritë e linjës dhe gjithashtu edhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në fund të mbledhjes nga ana e asamblistëve u aprovua një deklaratë dhe Vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për intervenime në sanimin e gjendjes emergjente të shkaktuar nga breshëri dhe shirat e rrëmbyeshëm me datë 14,15 dhe 16 qershor 2018.

Kjo mbledhje ka nisur me një minutë heshtje për vdekjen e Hilmi Haradinajt, babait të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme