Në një ceremoni të organizuar në Regjimentin e Mbrojtjes Civile, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës Gjenerallejtënant Rrahman Rama ka dekoruar me medaljen “Shërbim Vetëmohues’” pjesëtarët e Task Forcës së Kërkim Shpëtimit.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama i shoqëruar nga komandanti i Brigadës së Mbështetjes Operacionale, gjeneral brigade Naim Haziri, u pritën në Regjimentin e Mbrojtjes Civile nga komandanti, kolonel Shaip Haziri shoqëruar nga shefi i shtabit të RMC-së, nënkolonel Bajram Bekteshi dhe këshilltari i NALT-it për RMC, nënkolonel James Grimaldi, morën pjesë në ceremoninë e dekorimit të pjesëtarëve.
Pjesëtarët e Task-Forcës së Kërkim- Shpëtimit të ekipit të Shpëtimit në Ujëra dhe Male ishin të rreshtuar për pritjen e Komandantit të FSK-së, dhe me këtë rast gjeneral Rama theksoi se qëllimi i gjithë kësaj ceremonia është respekti për punën tuaj, për angazhimin që keni bërë në vazhdimësi për kërkimin dhe shpëtimin e jetëve të njerëzve ku do që është kërkuar .
,,Unë ju përgëzoj për punën dhe angazhimin. E di dhe e kuptoj se në çfarë kushtesh ju veproni dhe çfarë rrezikshmërie keni në punën tuaj. Kam qenë vet prezent në kërkimin e dy policëve të aksidentuar. Po ashtu kërkimi dhe gjetja e viktimës vikendin e kaluar tregon për punën dhe angazhimin serioz që ju jeni duke e bërë. Shpresoj që kurrë mos të kemi thirrje për angazhimin tuaj, se e di sa e vështirë është të gjesh dhe të tërheqësh një viktimë, por ju e keni treguar me punën tuaj se jeni të gatshëm dhe të përgatitur për çdo situatë’’ tha ndër të tjera në fjalën e tij gjeneral Rama.
Në fund të ceremonisë të gjithë pjesëtarëve iu ndanë medalje për “Shërbim Vetëmohues”.
Vlen të theksohet se pjesëtarët e Kërkim–Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë në vazhdimësi të angazhuar në operacione reale dhe të gjitha operacionet i kanë përfunduar me sukses siç janë për shembull: kërkimi në lumin Sitnica; në aksin Kaçanik-Hani i Elezit si dhe kërkimi në rrjedhën e Drinit të Bardhë në komunën e Pejës.