Rama emëron katër zëvendësministra nga Kosova

Prishtinë | 07 Tet 2017 | 14:09 | Nga

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar listën e zëvendësministrave në Qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Në mesin e tyre janë dhe katër personalitete nga Kosova.

Besa Shahini, e cila ka qenë e angazhuar në fushën e arsimit në disa organizata të shoqërisë civile, është emëruar zëvendësministre e Arsimit në qeverinë shqiptare.

Shahini ka reaguar pas marrjes së detyrës. “Marrë parasysh që standardet e arsimit shqip vendosen në Tiranë, arritjet atje domosdoshmërisht do të ndikojnë në përmirësimin e arsimit në Kosovë dhe vendet e tjera shqipfolëse në rajon”, ka shkruar ajo në faqen e saj në Facebook.

Një tjetër kosovar që do të jetë zëvendësministër në Qeverinë Rama, është edhe drejtori i organizatës “Ec Ma Ndryshe”, Hajrullah Çeku nga Prizreni.

Emrat janë bërë të ditur nga vet Rama në prezantimin e pozitave të caktuar në kabinetin qeveritar në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste.

Një tjetër zëvendësministre pritet të jetë Valbona Shujaku, deri më tani e angazhuar në Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Prishtinës.

Kurse, zëvendësministre e Shëndetësisë do të jetë Ilirjana Bajraktarin, themeluese e një organizate për shëndetësi në Kosovë dhe e doktoruar në Universitetin e Graz-it në Austri.

Ajo më parë ka punuar edhe në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSh).

Postim i plotë:

Kryeministri Rama sot më emëroi zëvendësministre të Arsimit në qeverinë shqiptare. Ndihem e nderuar që puna ime e deritanishme në fushën e arsimit vlerësohet si aset në qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Shpresoj që kontributi im të çojë tek përmirësimi i mëtutjeshëm i shkollave dhe arsimit në Shqipëri. Marrë parasysh që standardet e arsimit shqip vendosen në Tiranë, arritjet atje domosdoshmërisht do të ndikojnë në përmirësimin e arsimit në Kosovë dhe vendet e tjera shqipfolëse në rajon. Punën time në Shqipëri e shoh si thellim të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe tejkalim të kufijve në interes të përfitimit të përbashkët të shqiptarëve.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme