Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj zyrtares së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, duke ngritur një sërë akuzash dhe pyetjesh lidhur me rolin e saj në disa çështje që, sipas tij, janë objekt hetimesh dhe interesimi institucional.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama iu përgjigj deklaratave të Mihalit, duke e sfiduar që të japë sqarime publike për raportet e saj me ish-zyrtarë të institucioneve shtetërore.
“Mihajli, paske fol për krimin diçka! Tregoju popullit të Kosovës: Si një person pa funksion shtetëror, pse ke komunikime me ish-kryeshefin e KEK-ut, për çështje operative e vendimmarrje?”, ka shkruar Rama.
Ai ka përmendur edhe rastin e energjisë që lidhet me ambasadorin Martin Berishaj dhe kompaninë GEN, duke pretenduar se Mihali është ftuar nga Prokuroria për këtë çështje.
“Pse je ftu në Prokurori për skandalin me energji të Martin Berishaj/GEN?”, ka pyetur Rama.
Në reagimin e tij, kryetari i Prishtinës ka përmendur edhe hetimet që lidhen me rezervat shtetërore.
“Pse emri yt përmendet në hetimet me rastin e rezervave shtetërore? Keni vjedh në grunë edhe në vaj. Imagjino!”, ka shkruar ai.
Rama ka deklaruar se ndaj Mihalit ekzistojnë edhe shumë pyetje të tjera që, sipas tij, kërkojnë përgjigje.
“‘Aktiviste’, ti e din që ka edhe shumë pyetje tjera për ty? Prandaj, Dejona Mihajli, të ‘uroj ngushëllime’. Agjenda juaj përçarëse është shpërfaq”, ka thënë ai.
Ai ka reaguar edhe ndaj komenteve të Mihalit për projektin e tramvajit elektrik në Prishtinë.
“Sa për informatë, trami elektrik nuk ka ‘viza’. Ata me ‘viza’ janë në Rusi. Në Perëndim janë elektrikë. Mos e ki të ndalume hyrjen në Evropë, çysh e ke pas të ndalume dikur në Kosovë?”, ka shkruar Rama.