Rama në OKB: E pajustifikueshme izolimi i dy milionë kosovarëve

Prishtinë | 28 Sht 2019 | 01:23 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka përsëritur kritikat ndaj Brukselit për mos liberalizimin e vizave për Kosovën, duke thënë se është padrejtësi që qytetarët e Kosovës ende nuk kanë liberalizim të vizave.

Duke folur në Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Rama tha se është e pajustifikuar që BE mban peng 2 milionë qytetarë të Kosovës në një kohë kur prej 2014 pjesë e regjimit të Shengenit janë bërë më shumë se 100 milionë njerëz.

“Është e rëndësishme që Kosovës t’i jepet mundësia që të bëhet pjesë e të gjitha organizatave rajonale ndërkombëtare, ku çdo vend sovran e i pavarur i botës ka të drejtë të bëhet pjesë”, ka thënë ai.

Tutje Rama ka thënë se ai ka shpresë që një ditë vendet e Ballkanit Perëndimor do të punojnë së bashku për një të ardhme të mirë.

“Është shpresa ime e sinqertë dhe angazhimi im i përditshëm që Ballkani Perëndimor do të arrijë të shkëputet nga e kaluara njëherë e përgjithnjë e do të punojë sëbashku që të ndërtojë ekonomitë e vendeve të tyre, të integrojë tregjet e të ofrojë një të ardhme shumë më të mirë, duke menduar dhe duke punuar për fëmijët e tyre dhe duke mos folur më për hijet e të shkuarës”, ka shtuar ai.

Rama tha se është padrejtësi që qytetarët e Kosovës duhet të lëvizin pa viza.

“Në këtë drejtim do të doja që të theksoja një fakt, të cilin e kam përmendur në mënyrë të përsëritur me kolegët e mi europianë, është e pajustifikueshme që Kosova, një vend me vetëm 2 milionë banorë, mbetet edhe sot që flasim vendi i vetëm europian, populli i të cilit është i izoluar nga i gjithë rrjeti i regjimit të liberalizimit të vizave. Dëgjoni këtë! Nga viti 2014, më shumë se 100 milionë njerëz i janë shtuar asaj bashkësie njerëzisht që mund të hyjnë në BE pa viza. Si është e mundur që BE ende të mbajë peng vetëm 2 milionë njerëz që kanë luftuar kaq fort për të fituar lirinë e tyre dhe që mbeten të angazhuar në mënyrë kaq të palëkundur ndaj perspektivës së tyre për në BE?! E dashur BE, ndaloje këtë gjë të pakuptimtë!”, ka thënë Rama në fund./

Të ngjashme