Kështu e nis Kryeministri Edi Rama reagimin e tij me titull “asnjë ofendim, thjesht opinion”, pas akuzave se ofendoi gazetarët.
Rama thotë se nuk ka ofenduar askënd, ndërkohë shton se gazetarët, sipas tij, “janë duke shkelur me këmbë çdo normë e rregull bazik të një profesioni aq fisnik, e të vështirë njëkohësisht.
Reagimi i plotë:
Po pse qenkan ofenduar gazetarët nga unë? Sipas tyre po edhe sipas të tjerësh, në kazanin mediatik e në atë politik, i paskam fyer sot pas seancës së Kuvendit!
Fare! Nuk kam fyer askënd. Thjesht kam dhënë opinionin tim, për çka ata kanë bërë, gjatë gjithë këtyre ditëve duke e dizinformuar publikun, lidhur me qëndrimet e mia dhe të Partisë Socialiste!
Padiskutim ata janë në të drejtën e tyre të mos kuptojnë atë që thonë ose të thonë me qëllim gënjeshtra e budallallëqe. Janë në lirinë e tyre të dëgjojnë siç u bëjnë veshët apo kur nuk e dinë diçka, të mos përpiqen as ta mësojnë. Janë në punën e tyre që ta bëjnë punën duke shkelur me këmbë çdo normë e rregull bazik, të një profesioni aq fisnik e të vështirë njëkohësisht.
Por as ata – dhe këtu nuk flas, siç nuk fola as sot thjesht për gazetarët e terrenit, po e kisha dhe kam me të gjithë ata që lirinë e pushtetit të medias janë mësuar ta përdorin si armë, për të “vrarë e prerë”, pa teklif e as karar – dhe as kushdo tjetër, nuk më ndalon dot mua të shpreh opinionin tim; qoftë për turpin që i mbetet kujtdo që e shtrembëron, shkel apo shkatërron të vërtetën nga pozitat e gazetarit, duke më vënë në gojë gjëra që s’i kam thënë dhe jo vetëm; qoftë për paditurinë që shfaqet brutalisht nga mëngjesi deri në darkë, si liri dhe e drejtë për të dhunuar lirinë e të drejtat e tjetrit, në emër të profesionit (kur je gazetar je ëngjëll, kur je politikan je djall, prandaj o burra bjeri t’i biem kujt të duam se brenda jemi); qoftë për transformimin e urës së komunikimit mes politikës e publikut, në një grykë thashethemnaje frenetike, ku nuk e merr vesh i pari të dytin!
Kështu që kush është ndjerë i ofenduar, të mos keqkuptohet. S’kam ofenduar askënd dhe s’ka asgjë për t’u ofenduar. Thjesht dikush, unë në këtë rast, u ka thënë në mexhelis se çfarë mendon për punën që kanë bërë tërë këtë javë, në raport me qëndrimet e mia e të Partisë Socialiste.