Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka kritikuar pjesëmarrësit nga Kosova e Maqedonia e Veriut në protestën që po mbahet tash e 22 ditë në Shqipëri.
Sipas Ramës, diasporë e Shqipërisë nuk janë shqiptarët e Kosovës e as ata të Maqedonisë së Veriut.
Duke iu referuar pjesëmarrësve që udhëtuan drejt Tiranës për protestë, Rama përdori tone të ashpra, duke thënë se kur “karvane politike nga Prishtina e Tetova” paraqiten në Tiranë si diasporë, ata dëmtojnë imazhin e shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Ai ngriti pyetjen nëse ata që duan shqiptarët në konflikt dhe rrëmujë gëzohen kur shohin, sipas tij, një “diasporë” nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut që shkon drejt Tiranës për të rrëzuar qeverinë shqiptare. Rama shtoi se sponsorët e këtyre veprimeve po shpenzojnë para vetëm për t’i bërë dëm imazhit kombëtar dhe ndërkombëtar të Kosovës dhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Vend në reagimin e Ramës pati edhe përdorimi i simboleve kombëtare dhe atyre të UÇK-së gjatë protestës. Kryeministri shqiptar tha se nuk do t’i hiqet nga mendja, sipas tij, “përdhosja e flamurit çlirimtar të UÇK-së”, duke e konsideruar të papranueshme përdorimin e tij si simbol në një përpjekje për rrëzimin e qeverisë në Tiranë.
Rama përmendi edhe anëtarë dhe mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje, duke i cilësuar disa prej tyre si të përfshirë në atë që ai e quajti “çorbë dreqërish”. Megjithatë, ai bëri një ndarje mes tyre dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë përgjegjës Albin Kurtin për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish”, shkroi Rama.
Sipas tij, çdo forcë e madhe politike ka individë që nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrimet e lidershipit, duke shtuar se do të fyente inteligjencën e Albin Kurtit nëse do të mendonte se ai gjykon njësoj si personat që kritikoi në reagimin e tij.
Në fund të postimit, Rama kërkoi që emri i kryeministrit të Kosovës të mos lidhet me ngjarjen, duke theksuar: “Lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme”.