Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka pritur në takim Lartësinë e Tij Mbretërore, Princin Naif bin Abdullah bin Saud bin Abdulaziz AlSaud, nga Mbretëria e Arabisë Saudite, raporton Ekonomia Online.
Gjatë takimit, Rama ka vlerësuar potencialin për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Arabisë Saudite, duke thënë se Prishtina dhe Kosova paraqesin një platformë të mirë për investime dhe se synimi është realizimi i projekteve në shkallë të gjerë.
“Po, ne në fakt kemi shumë biznese këtu që, pavarësisht vështirësive, po ecin shumë mirë në nivel lokal dhe global. Pra, Prishtina, Kosova, është një platformë e shkëlqyer për të bërë biznes për shumë, shumë arsye. Dhe imazhi ynë na penalizon disi, e dini, pas luftës dhe ai elementi i luftës ende mbetet. Por vendi ka ecur përpara. Ne i kemi të gjitha strukturat për të krijuar një qasje shumë të lehtë për bizneset në nivel global. Veçanërisht për miqtë, si ju, Lartmadhëria Juaj Mbretërore, e dini që ne mund të sigurojmë që tranzicioni juaj apo vendosja juaj këtu, ngritja e biznesit tuaj këtu, të jetë sa më e lehtë dhe e qetë që të jetë e mundur. Sepse jeni mes miqsh. Jeni mes njerëzve që duan të punojnë me ju, duan të krijojnë marrëdhënie me vendin dhe popullin tuaj të bukur, dhe ne duam të çojmë përpara projekte në shkallë të gjerë, të cilat e dimë se do ta kishim shumë të vështirë t’i bënim vetë, por me ju ato do të ecin lehtë dhe shpejt, dhe do të krijojnë lidhje të qëndrueshme, marrëdhënie jetëgjata”, tha ai.
Rama ka thënë se bashkëpunimi mund të shërbejë edhe për afrimin e dy vendeve dhe komuniteteve të biznesit, duke shprehur gatishmërinë e Prishtinës për krijimin e marrëdhënieve të reja me investitorët sauditë.
“Dhe, ju falënderoj shumë që keni ardhur për të na vizituar këtu në Komunën e Prishtinës. Jemi padyshim shumë të nderuar dhe të lumtur që ju kemi këtu, ju dhe ekipin tuaj të mrekullueshëm të biznesmenëve e të investitorëve. Ne presim me padurim të krijojmë marrëdhënie të shkëlqyera midis kryeqytetit tonë, vendit tonë dhe vendit tuaj të bukur. Dhe jam i sigurt se ne mund ta bëjmë këtë realitet. Ka shumë mundësi që mund t’i shkëmbejmë. Shumë mundësi për t’i afruar vendet tona, për t’i bashkuar njerëzit tanë, për të bashkuar komunitetin tonë të biznesit. Dhe mendoj se duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi. E dini, ne jemi një vend i vogël, por me njerëz me zemër të madhe. Zemër të madhe. E dini, veçanërisht, veçanërisht për mysafirët. Siç e përmenda shkurtimisht dje, shtëpia jonë është së pari e Zotit, e mysafirit, dhe pastaj e jona, e njerëzve këtu”, tha ai.
Ndërkaq, Princi Naif bin Abdullah bin Saud bin Abdulaziz AlSaud, tha se ndjehte i lumtur që gjindet në Kosovë dhe se ka qenë i impresionuar me njerzit dhe vendin.


