Rama takon kreun e “Pfizer”: Ambicia jonë, brenda shkurtit të nisë vaksinimi

Prishtinë | 09 Dhj 2020 | 16:44 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar një fotografi me Drejtorin e Përgjithshëm të Kompanisë “Pfizer” e cila ka prodhuar vaksinën e parë të koronavirusit me efikasitet 95 përqind.

“Takimi pozitiv me bosin e Pfizer, Albert Burla, në qendrën e kompanisë prodhuese të vaksinës në Nju-Jork, përmbylli komunikimet tona të kësaj vizite kërkimore për të siguruar vaksinën për Shqipërinë – një sfidë e jashtëzakonshme në kushtet e një kërkese globale marramendëse”.

Më tej, Rama thekson se ambicia e qeverisë shqiptare është që brenda shkurtit të nisë vaksinimi.

“Prodhimi është ende shumë më i ulët sesa kërkesa botërore. Por, ambicia jonë është të mos mbetemi mbrapa në radhën e stërgjatë të shteteve që kërkojnë vaksinën! Përveç kanalit të sapohapur për vaksinën Pfizer do hapim në vijim edhe kanalet për vaksinat Moderna dhe Astrazeneca”.

“Ambicia jonë është që brenda dy muajve të parë të vitit të ri të nisim vaksinimin! Duket e pamundur po ne do t’ia dalim, pavarësisht vështirësisë së skajshme në këtë situatë për të gjithë, ku sidoqoftë vendet më të vogla e me të ardhura më të ulëta janë dhe më të dizavantazhuarat!”, ka shkruar Rama./ A2 CNN

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme