Ramadani: FSK-ja po transformohet me aleatët, nuk është kundër askujt

Prishtinë | 12 Dhj 2018 | 15:04 | Nga Ekonomia Online

Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, thotë se pas datës 14 dhjetor FSK-ja do të marrë mandat ushtarak dhe mbrojtës dhe do të veprojë brenda territorit të Republikës së Kosovës sipas kërkesave dhe nevojave të sigurisë. Procesi i transformimit të FSK-së në ushtri është bërë në mënyrën më transparente të mundshme dhe në koordinim me të gjithë aleatët e Kosovës. Kjo ushtri nuk po bëhet për inat të askujt, as në Kosovë e as në Ballkan. Ramadani thotë se faktori politik është unik sa i përket datës kur do të votohet për ushtrinë. Sa i përket tensionimit të mundshëm të situatës në këtë ditë, ai thotë që atë ditë gjithçka do të shkojë në rregull, pasi këtë do ta garantojnë institucionet e Kosovës në bashkëpunim me KFOR-in.

Gazeta Express: Çfarë do të jetë saktësisht ushtria e Kosovës, pas votimit që pritet të bëhet më 14 dhjetor?

Burim Ramadani: Forca e Sigurisë së Kosovës e ndërron misionin dhe mandatin, duke marrë mision dhe mandat ushtarak dhe mbrojtës, dhe si e tillë me tri ligjet që kalojnë, duke përfshirë edhe ndryshimin e emrit të Ministrisë dhe riorganizimin e saj, Kosova do ta ketë institucionin e vet ushtarak dhe mbrojtës që quhet FSK, derisa përmbushja e kapaciteteve të veta do të marrë kohë më shumë, do të marrë disa vjet sipas planit gjithëpërfshirës, që ne kryesisht i referohemi si plani 10-vjeçar. Pra do të marrë dhjet vjet për të përmbushur kapacitetet e plota operacionale që të kryejë detyrat në formë profesionale.

Gazeta Express: Pasi që ushtria nuk po bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, por po bëhet përmes këtyre tre ligjeve, cili është dallimi në mes të kësaj ushtrie që do të krijohet më 14 dhjetor dhe asaj që do të mundë të formohej përmes ndryshimeve kushtetuese?

Burim Ramadani: Unë besoj që është fatkeqësi ndërhyrja nga jashtë. Ka ndikuar që të mos kemi mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës. Sepse përmes ndryshimit të Kushtetutës, do të ndryshonim emrin në Forca të Armatosura të Kosovës dhe do të arrinim që të ketë konsensus të të gjitha komuniteteve që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës. Ky ka qenë qëllimi i ndryshimeve kushtetuese. Por kjo ka qenë e pamundur nga veto që është përdorur nga jashtë Kosovës. Në aspektin përmbajtjesor FSK-së nuk i ndryshohet emri, pra quhet Forca e Sigurisë së Kosovës, ndërsa në aspektin përmbajtjesor nuk ndryshon asnjë element, prej asaj që ka qenë plani gjithëpërfshirës i transformimit. Dhe si e tillë FSK-ja do të ketë kapacitete të plota të institucionit ushtarak vetëmbrojtës, në suazat e aftësive të Kosovës, qofshin buxhetore, qofshin njerëzore, qofshin kapacitete tjera, sepse po e ndërtojmë, respektivisht po fillojmë ndërtimin e FSK-së me mision ushtarak dhe mbrojtës, që të jetë një institucion i vogël profesional, multietnik, kredibil, lehtësisht i lëvizshëm, për të kryer detyrat e veta që i përshkruhen në Kushtetutë dhe ligje.

Gazeta Express: Kur flisni për ndërhyrjet nga jashtë, për kë saktësisht e keni fjalën?

Burim Ramadani: Ndërhyrjet nga jashtë janë nga politika e Serbisë dhe mund të shkojnë deri në influencën armiqësore ruse. Sepse kemi pasur edhe statistikisht të dhëna të mjaftueshme, të këtyre ndërhyrjeve, qofshin publike, qofshin jopublike, që realisht kanë paraqitur për vite të tëra një veto të jashtme brenda proceseve legjitime të Kosovës. Ne bashkë me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, kemi pasur parasysh që veto e jashtme për proceset e brendshme në Kosovë është e papranueshme dhe si e tillë kemi bërë përpjekje që ta shmangim këtë veto, duke integruar komunitetet në Kosovë. Duke tentuar që të kemi angazhim të përbashkët për ndryshime kushtetuese. Por se ka ardhur një moment, në të cilin vetoja e tillë nuk është parë dhe nuk shihet si diçka që ne të gjithë duhet t’i nënshtrohemi.

Gazeta Express: Saktësisht, cili do të jetë misioni dhe cili do të jetë armatimi që ushtria e Kosovës do ta ketë pas 14 dhjetorit?

Burim Ramadani: FSK-ja në mandatin e ri do të ketë katër detyra themelore: Mbrojtja e territorit të vendit, mbështetja për autoritete civile, mbështetja qendrore dhe pjesëmarrja në operacione paqësore. Si të tilla këto do të ndërtojnë kapacitete e FSK-së në një proces transparent dhe gradual. Duhet largu ekzagjerimin, dhe hera e herës edhe folklorin. FSK-ja merr mandat ushtarak mbrojtës, ndërkaq kapacitete për këtë mandat, do të marrin kohë. Sepse ato janë çështje që nuk mund të ndërtohen për një kohë shumë të shkurt. Sistemi i armatimit dhe sistemi i pajisjeve do të jetë në përputhje të plotë me standardet e NATO-s, sepse kështu është ndërtuar FSK-ja deri tash. Do të jetë sistem ndërveprues me partnerët strategjikë dhe vendet e NATO-s, dhe do të jenë në përputhje me mundësitë buxhetore dhe mbështetjen e partnerëve. Nuk mund të disbalancojmë buxhetin e Kosovës për shkak të investimeve në programin e mbrojtjes apo në FSK, por do të ketë rritje graduale të investimit, që në fund të fundit e bën FSK-në një institucion profesional dhe kredibil.

Gazeta Express: Si e komentoni qëndrimin e fundit të NATO-s dhe mosunitetin brenda NATO-s për krijimin e ushtrisë së Kosovës?

Burim Ramadani: Ne kemi pasur aktivitete të planifikuara gjatë gjithë vitit për komunikimin e jashtëm dhe të brendshëm. Në aspektin e jashtëm kemi pas kampanjë informuese, pothuajse më shumë se gjysmën e shteteve të NATO-s, Sigurisht që nuk kemi arritur të gjitha, kjo është edhe pamundësi në rastet të caktuara me shtetet të cilat nuk e njohin Kosovën. Por se kemi informuar një numër të madh të partnerëve dhe brenda NATO-s, dhe si e tillë po ashtu në kuadër të kësaj, kemi qenë edhe në selinë qendrore të NATO-s, ndërkaq kampanja informuese do të vazhdojë edhe me tutje. NATO e cila ka kontribut të jashtëzakonshëm dhe ekzistencial për Kosovën gjatë gjithë këtyre 20 vjetëve, është e mirëseardhur të qëndroj në Kosovë për gjithë jetën, pra në mënyrë permanente, edhe pse Kosova e ka qëllimin final, anëtarësimin në NATO. Por në të njëjtën kohë, NATO dhe përfaqësuesit e saj në kuptimin e organizatës, përfaqësojnë qëndrime të përbashkëta të shteteve anëtare. E kur nuk ka qëndrime të përbashkëta, iu kthehen qëndrimeve të mëhershme. Sikurse ka qenë qëndrimi i vitit 2014. NATO për shkak të mënyrës se vendimmarrjes konsensuale, pra secili anëtar brenda NATO-s ka drejtë vetoje, nuk ka arrit që të krijojë konsnesus për të ndryshuar qëndrimin, respektivisht edhe për ndryshimin e mandatit dhe misionit të FSK-së, ne do të kemi qëndrimin e më hershëm të NATO-s, që po ashtu është qëndrim pozitiv . Do të ketë bashkëpunim, KFOR-i do të jetë në Kosovë ani pse është mision tjetër. NALT mbetet në Kosovë, besojmë që do të mbeten edhe në programin e bashkëpunimin e zgjeruar dhe programet tjera. Nuk është çështje që duhet ngritët konfuzion. Ne kemi mbështetje të jashtëzakonshme të partnerëve, dhe gjithashtu mirëkuptojmë qëndrimet e NATO-s në këtë periudhë, duke synuar që të ndërtojmë raport formal, dialog formal me NATO-n, që të kemi mundësi të shpjegojmë më shumë. Pra aty ku kemi arritur të shpjegojmë procesin e transformimit të FSK-së dhe plane te Kosovës kemi marrë mbështetje dhe kjo garanton që procesi do të vazhdojë në formë të sigurt.

Gazeta Express: Gjermania ka shprehur të njëjtat shqetësime sikurse NATO-ja për ushtrinë, a është shqetësues ky fakt?

Burim Ramadani: Unë mund të them që Gjermania është njëra prej kontribuuesve kryesorë për ngritjen e FSK-së. Ne kemi vazhdimisht punë të përbashkët me Gjermaninë dhe Qeverinë Gjermane e Ushtrinë Gjermane. Dhe si e tillë mund të them që kemi mbështetje për proces legjitim dhe gradual. Nuk kemi pasur asnjëherë dilema në rritjen e bashkëpunimit bilateral. Një mbështetje e tillë është jashtëzakonisht e rëndësishme. Nuk mund vlerësoj se mund të kemi situata në të cilat shtete si Gjermania kanë pasur hezitime për procesin.

Gazeta Express: Hezitimin e tyre, NATO-ja dhe Gjermania, e kanë arsyetuar me frikën për tensionim të situatës ditën e 14 dhjetorit?

Burim Ramadani: Nuk besoj që indikacionet mund të dërgojnë një konkludim të tillë, për shkak të bashkëpunimit me partnerët, dhe misionin e KFOR-it, dhe në të njëjtën kohë edhe për shkak të qartësisë së këtij procesi, tranzicionit të FSK-së. As nuk është kundër kujt, e as nuk është për inati të kujt në Kosovë apo në rajon. Është vetëm një vendim politik në këtë rast i ligjeve, i cili mundëson fillimin e tranzicionit dhe ky do të zgjatë për një periudhë jo të shkurtër kohore.

Gazeta Express: A ka koordinim ndërmjet institucioneve që datën e 14 dhjetorit të shkojë gjithçka siç duhet?

Burim Ramadani: Është dëshmuar se tranzicioni i FSK-së ka krijuar një konsensus kombëtar gati deri në unanimitet. Kemi pasur vetëm një subjekt minoritar që ka mbajtur qëndrime të një shtetit tjetër të jashtëm. Në pjesën tjetër të brendshme ka pasur jashtëzakonisht gjithëpërfshirje edhe në mbështetje por edhe aspektin konceptual.

Ka bashkërendim  edhe të analizës së situatës por edhe të veprimeve, që 14 dhjetori, votimi i ligjeve të jetë një ditë e rregullit. Pavarësisht se vendime të tilla merren njëherë në jetë, ajo ditë është e rregullt për Kosovën. Sepse gjithçka duhet shkojë dhe do të shkojë sipas mënyrës së përditshme të jetës.

Gazeta Express: Duke i njohur qëndrimet e Serbisë, a besoni se gjithçka do të shkojë në rregull atë ditë?

Burim Ramadani: Sigurisht që ka pas ngritje të tensioneve, qoftë në deklarata qoftë në narrativ. Qoftë edhe në veprime tjera, sikurse që ka qenë presioni dhe kërcënimet ndaj pjesëtarëve serb të FSK-së, Por Kosova bashkë me partnerët ndërkombëtar, edhe me KFOR-in është këtu për të garantuar sigurinë e qytetarëve, komuniteteve dhe gjithë territorit.

Gazeta Express: A mendoni që do t’i shfrytëzojë strukturat në veri për destabilizim më 14 dhjetor?

Burim Ramadani: Unë do të doja që edhe Serbia edhe qoftë edhe ndonjë aktor tjetër jo shtetëror, që mund të synojnë situata tensionuese në Ballkan, dhe jo vetëm në mes Kosovës dhe Serbisë, ta kenë të qartë që Kosova ka institucionet e saj të brendshme, por ka edhe mbi të gjitha KFOR-in dhe NATO-n, që garantojnë ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë. Nuk dua të besoj që situata të tilla, dikush do të tentoj të ndërtoj incidente apo tensione, sepse kjo as që nuk do të mund të realizohet, dhe as nuk do të mund t’i ndihmonte qëllimeve tyre politike.

Gazeta Express: Amerika ka qenë shteti i vetëm që ka dalë hapur pro krijimit të ushtrisë, si e komentoni këtë mbështetje të Amerikës për krijimin e ushtrisë?

Burim Ramadani: Asnjëherë nuk është e tepërt të them që Kosova dhe populli i Kosovës është i bekuar me raportin special që ka me SHBA-të, Është jashtëzakonisht e rëndësishme që SHBA-ja është kontribuuesi kryesor për zhvillimin e FSK-së, dhe pres që ky raport të thellohet. Raporti me SHBA-të për zhvillimin e FSK-së, është jetik për Kosovën dhe të njëjtën kohë Kosova synon dhe duhet të thellojë, e do të thellojë përpjekjet për zgjerimin e raporteve me NATO-n dhe me shtete e rëndësishme qofshin evropian, qofshin të rajonit, për të vazhduar rrugën drejt NATO-së. Është e qartë që mbështetja amerikane është jetike për Kosovën, në të njëjtën kohë është jetike për Kosovën që të bëjë hapa të sigurt drejt NATO-s.

Gazeta Express: Partitë politike kanë shfaqur në një formë një lloj konfuziteti për çështjen e ushtrisë, pas deklarimeve të NATO-s, konkretisht nga LDK-ja kanë thënë se do ta votojnë ushtrinë, por pasojat e mëvonshme për këtë i bartin prijësit e institucioneve, si e komentoni këtë?

Burim Ramadani: Besoj që mund të ketë pasur situata konfuziteti dhe emocione qoftë në deklarata të tilla, qoftë në opinion në përgjithësi. Normalisht që duhet me e përshëndet dhe falënderuar secilin deputet dhe parti politike, gjitha komuniteteve, që kanë mbështet ligjin në votimin e parë, dhe kanë precizuar mbështetjen në leximin e dytë. Kosova nuk do të ketë pasoja për këtë vendim  për tranzicionin e FSK-së dhe fillimin e kapaciteteve ushtarake dhe mbrojtëse. Kosova ka rrugë të sigurt të stabilitetit dhe thellimit të raporteve bilaterale. Dhe Kosova do të ketë përpjekje shtesë që do të dalin pas këtyre ligjeve, për thellimin e raporteve multilaterale me NATO-n. Nuk ka situata për konfuzion, s’ka nevojë për konfuzion, sepse nuk do të ketë pasoja, përkundrazi Kosova do të thellojë bashkëpunimin bilateral. E kuptoj, prandaj edhe e përmenda, një krijim të përkohshëm të një konfuzioni publik. Por procese të tilla janë përtej një deklarate dhe një qëndrimi. Ne do të thellojmë dhe do të marrim hapa tjerë, për fillimin e një niveli më të lartë, të dialogut Kosovë – NATO, dhe për këtë do të na duhet një mbështetje e shteteve veç e veç.

Gazeta Express: Kryeministri Haradinaj ka qenë në SHBA dhe është takuar me James Mattis-in, si një njeri i afërt i kryeministrit, a mund të na tregoni se çfarë kanë thënë amerikanët saktësisht për ushtrinë?

Burim Ramadani: Qëndrimi amerikan është i vazhdueshëm. Realisht nëse dëshirojmë të komentojmë qëndrimin e tyre, ka qenë që në dy vitet e fundit, në formë krejtësisht të qartë, SHBA-ja mbështet tranzicionin e FSK-së mbështet përpjekjet e Kosovës që kjo të jetë në formë gjithëpërfshirëse, pra edhe me ndryshime kushtetuese, dhe që askush nuk ka veto në proces. Ne kemi kaluar nëpër tri faza, me përpjekje të mëdha, për të dokumentuar angazhimin tonë për gjithëpërfshirje, dhe Kosova ka ndërtuar planin e tranzicionit, plan transparent. Ka bërë përpjekje që kjo të kalojë edhe përmes ndryshimeve kushtetuese, dhe kemi mbërri në pjesën e tretë që askush nuk ka veto në proces të brendshëm të Kosovës në këtë rast për FSK-në, dhe si e tillë tranzicioni përmes ligjeve e shmang veton e jashtme realisht në Kosovë. Qëndrime të tilla realisht kanë qenë të njëjta. Sigurisht që nuk mund të komentojë deklarata të caktuara brenda takimeve. Por e di që kryeministri ka bërë publike fjalë bazike të atyre takimeve. Ajo që mund të them është që ‘PO’, dhe nuk është fare ekzagjerim, por prioriteti kryesor kombëtar i kryeministrit  Haradinaj ka qenë dhe është FSK’ja, tranzicioni dhe më pas zhvillimi i FSK-së. Tranzicioni i FSK-së ka qenë në të gjitha pikat e diskutimit të kryeministrit Haradinaj në çfarëdo lloj takimi që ka pasur. Qoftë edhe për takime për fusha tjera, gjithmonë ka qenë pjesë e diskutimit. Dhe po që ka pasur investim gjatë këtij viti në formë të duhur nga kryeministri dhe qeveria Haradinaj.

Gazeta Express: Si e komentoni mungesën e uniteti ndërkombëtar? Amerika është kategorike pro, ndërsa NATO-ja dhe shtetet e BE-së, kanë një lloj mosuniteti qoftë karshi dialogut, qoftë për ushtrinë. A po ndryshon diçka në politikën ndërkombëtare karshi Kosovës?

Burim Ramadani: Ndoshta është periudha e ndryshimeve të segmenteve të ndryshme populiste në vende të ndryshme në botën demokratike, por se në raport me aspektet elementare të Kosovës dhe Ballkanit, nuk shoh ndryshime që dallojnë konceptualisht, megjithëse kemi të qartë se tash jo në raport me Kosovën, por Bashkësia Kombëtare ka vështirësi në ndërtimin e konsensusit për tema të ndryshme. Konsolidimi i shtetit të Kosovës është pikë e përbashkët e pjesës mbështetëse të Bashkësisë Ndërkombëtare mbështetëse të Kosovës. Dhe konsolidimi i shtetit të Kosovës është prioritet kombëtar dhe si i tillë edhe vendimi i ndryshimit të mandatit të FSK-së, i shërbejnë konsolidimit të shtetit të Kosovës, dhe i shërbejnë kontributit të Kosovës për rajon dhe më gjerë. Dhe në bazën elementare që është synimi që Kosova të jetë shtet i konsoliduar dhe demokratik, besoj që është emëruesi i përbashkët i Bashkësisë Ndërkombëtare në raport me Kosovën.

Gazeta Express: A mjafton vetëm mbështetja e Amerikës në këtë rast?

Burim Ramadani: Nuk po flas vetëm për mbështetje të Amerikës që është jetike. Ne kemi rritje të vazhdueshme të mbështetjes për FSK-në, kemi rritje të vazhdueshme të mbështetjes për proceset e brendshme të Kosovës, sikurse ndryshimi i kornizës ligjore kundër korrupsionit e krimit të organizuar, kemi mbështetje të vazhdueshme për ofrimin e investimeve të huaja. Pra po flasim për situata ku nuk ka tërheqje të mbështetjes. Dhe mbështetja për konsolidimin që është emërues i përbashkët, nuk është diçka që duhet të nënvlerësohet.

Gazeta Express: Kur flasim për kapacitete që i ka FSK-ja aktualisht, a është e gatshme që pas 14 dhjetorit të marrë përgjegjësitë e një ushtrie të mirëfilltë?

Burim Ramadani: FSK-ja ka ndërtuar kapacitet dhe i ka përmbush ato qysh në vitin 2013, dhe FSK-ja do ti mbajë kapacitet aktuale për mbështetje civile të emergjencave. Dhe si të tilla këto kapacitete do të vazhdojnë. Ndërkaq edhe ministria e Mbrojtjes pas hyrjes në fuqi të ligjeve, do të fillojnë procesin e tranzicionit dhe riorganizimit dhe  ndërtimit të brendshëm, dhe ky ndërtim i kapaciteteve do të marrë kohë. Merr kohë pavarësisht mandatit. Ka një proces dhjetë vjeçar, pastaj edhe ndoshta pas atij procesi, FSK-ja do të jetë vazhdimisht në tranzicion, sikurse të gjitha forcat e shteteve të ndryshme të botës. Për me e përmbledhë më thjeshtë përgjigjen në pyetjen e juaj , FSK-ja merr mandat ushtarak dhe mbrojtës. Kapacitetet për të ekzekutuar këtë mandat mbrojtës në nivelin më të lartë profesion dhe standardeve të NATO-s, do të marr kohë.

Gazeta Express: A do të duhet që ushtria pas 14 dhjetorit të konsultohet me KFOR-in për të shkuar në veriun e Kosovës, apo a do të jetë e lirë të veprojë në gjithë territorin e Kosovës pa u konsultuar me askënd?

Burim Ramadani: Ne e respektojmë mandatin e KFOR-it në mandatin që ka, sepse e tillë është edhe në kushtetutën tonë. E dyta FSK-ja do të jetë aty ku ka nevojë dhe ku kërkohet nevoja, për kapacitete aktuale që ka, dhe për kapacitete që do t’i ndërtojë. Unë besoj që nuk ka dileme për aspektin territorial, sepse Kosova është një dhe e pandashme, dhe në situata të tilla nuk mund të flasim për kufizime territoriale, sepse FSK-ja në mandatin e ri nuk do të ketë asnjë llojë kufizimi. Sigurisht që bashkërendimi me KFOR-in, i ndihmon FSK-s dhe Kosovës. A do të jetë FSK-ja në gjithë territorin e Kosovës, do të jetë sa herë që kërkohet.

Mendoj që është e rëndësishme që Kosova me ndryshimin e këtyre ligjeve fillon tranzicionin e FSK-së, dhe kjo do të marrë kohë. Të qartësohet dhe të mos ekzagjerojmë. As në tone krejtësisht emocionale dhe as në tone folklorike dhe ky tranzicion i FSK-së, do të jetë kontribut për rajonin dhe jo vetëm për Kosovën. Dhe nuk është kundër asnjë shteti apo komunitet të caktuar.

 

Të ngjashme